Historiku

Hendbolli i Kosovës, figura dhe dëshmi

 

Hendbolli i Kosovës ka një histori të gjatë dhe të pasur. Janë tri periudha që ravijëzojnë qartë këtë histori:

- E para, veprimtaria që nga fillimet, ose viti 1948;

- E dyta, që nga pavarësimi, ose viti 1990, dhe,

- E treta, që nga viti 1999 e deri më sot.

Që të tri këto periudha kanë të veçantat jo vetëm historike. Ato shënojnë shkallët e zhvillimit dhe afirmimit vendor dhe ndërkombëtar. Po ata njerëz që dikur ishin lojtarë, së bashku me të tjerët, që rrinin krah i tyre, në periudhën e dytë ishin krah i atyre që i takuan brezit të veprimit të hendbollit gjatë viteve të robërisë dhe të lirisë…

Ka shumë aktorë që parakaluan përgjatë këtyre viteve. Ka shumë skuadra që vepruan. Ka shumë lojtarë, trajnerë, drejtues të skuadrave që i dhanë kuptim hendbollit të Kosovës. Kudo që kanë vepruar, kanë hedhur një gur në themelin e fortë të këtij sporti elit dhe dëshmuan praktikisht se po ecnin krahas skuadrave më të shquara evropiane…

 

1. HISTORIA

 

Historia e hendbollit në Kosovë nis që nga vitit 1948, kur u themeluan skuadrat e para të hendbollit të madh, siç ishin Milicionari, Jedinstvo e Gjakovës, Buduçnosti i Pejës, Trepça e Mitrovicës, Kosova e Prishtinës, Metohia e Prizrenit, që më vonë merr emrin Partizani. Të gjitha këto skuadra bënë gara gjatë periudhës së viteve 1948 dhe 1949.

Ndërkohë, hendbolli i vogël në Kosovë u paraqit gjatë viteve 1950-1951, që zhvillohej nëpër salla, si pjesë e hendbollit të madh. Deri në vitin 1964 hendbolli ishte në kërkim të identitetit të vet, duke dhënë kampionët e një sporti që po merrte përmasa më të gjera zhvillimore…

Gjatë gjithë kësaj periudhe, hendbollin e luanin lojtarët që njëkohësisht ishin të pranishëm edhe si futbollistë, edhe si basketbollistë. Ishte ky një realitet që asokohe ndodhte në mbarë rajonin, pra edhe në Kosovë.

Hendbollin e madh në Kosovë e solli Bardhyl Zajmi, që gjithashtu kishte merita edhe për sportet e tjera. Pikërisht në vitin 1950 nisi periudha e hendbollit të madh në Kosovë. Përkrah Bardhyl Zajmit, ishin edhe Xhavit Spahiu, Masar Begolli, e shumë të tjerë që ndihmuan për zhvillimin e këtij sporti gjatë gjithë periudhës sa ishin veprues.

Viti 1953 dhe shkuarja e Xhavit Spahiut në një seminar gjashtëditor në Beograd, lidhet me përpjekjet për zhvillimin e hendbollit të vogël në Kosovë. Asokohe, ligjërues ishte mësimdhënësi nga ish-Çekosllovakia Petrik Konik. Dhe prej atëherë nis të zhvillohet hendbolli i vogël. Ishte pikërisht Xhavit Spahiu që nga ky seminar solli gjashtë topa të hendbollit. Pas dy muajsh u hartuan edhe propozicionet e garave, përmasat e fushës, rregullat e lojës, që janë të ngjashme me të sotmet. Me këtë histori lidhet pikërisht klubi i hendbollit Normalisti, trajner i të cilit ishte Xhavit Spahiu, gjashtë herë kampion i Kosovës…

Në vitin 1955 hendbolli vogël u institucionalizua. U riorganizua Këshilli hendbollistik, në çdo qendër u themeluan aktivet e hendbollit. Hendbolli luhej nëpër shkolla, në fabrika, në fshat dhe  në qytet. Pikërisht në këtë vit ishin tetë skuadra që u paraqitën në gara të organizuara: Normalisti dhe Kosova e Prishtinës, Trepça e Partizani të Mitrovicës, Partizani i Vushtrrisë, Ferizajt, Prizrenit dhe i Gjakovës.

Finalja e turneut u zhvillua në Prizren. U takuan Partizani i Prizrenit dhe Normalisti i Prishtinës. Kampion u bë Normalisti, duke fituar titullin e parë në kampionatin e parë të organizuar në formë lige.

Po në vitin 1955, në Mitrovicë, për herë të parë në historinë e hendbollit të Kosovës, u mbajt turneu kampional për femra. Morën pjesë tri skuadra: Kosova e Prishtinës, Partizani i Prizrenit dhe Trepça e Mitrovicës. Titullin e kampionit e fitoi Trepça, që në historinë e hendbollit femëror njihet si kampion i parë i Kosovës.

Në vitin 1955 hendbollit i shtohet edhe një garë tjetër – Kupa e Kosovës. Përfaqësuesi i Kosovës, Normalisti,  humbi në Leskovc nga Partizani me rezultat 10:8.

 

2. SHUMË EMRA, NJË HISTORI

 

Janë të shumtë emrat që e bënë historinë e hendbollit në Kosovë. Pothuaj që të gjithë dolën nga skuadra e parë e themeluar në vitin 1953, në Prishtinë nga Xhavit Spahiu, asokohe mësimdhënës i lëndës së edukatës fizike në Normalen e Prishtinës. Për këtë skuadër kanë luajtur: Bedri dhe Masar Kabashi, Iljaz Sina, I. Berisha, Breznica I dhe II, Ruhi Shala, Halil Alidemaj, Kamber Kabashi, Xhemajl Kasumi, Nazmi Reçica, Sokol Dauti, Arsim Fehmiu dhe Skënder Lamaxhema.

Normalisti mbizotëroi prej vitit 1954 e deri më 1959, duke qenë gjashtë herë me radhë kampion i Kosovës.

Më 20 shtator të vitit 1959 u bë mbledhja e parë e Këshillit Hendbollistik të Krahinës me përfaqësuesit e skuadrave. U vendos që kampionati të fillojë më 27 shtator të vitit 1959.

 

3. NË ELITËN BOTËRORE KOSOVËS  I PRINTE BORCI DHE TREPÇA

 

Hendbolli në Kosovë arriti të bëhet sport elit. Këtë e dëshmojnë skuadrat që në vitet e 70-ta ia dolën të bëjnë garat në ligën e parë dhe të dytë qendrore të ish-Jugosllavisë, asokohe më të fortat në botë. Ishte Borci i Ferizajt që i pari arriti të paraqitet në këtë rang garash. Kjo ndodhi në vitin 1975. Skuadrën e drejtonte Hysni Firza, me emrin të cilit lidhen sukseset më të mëdha të Borcit.

Trepça e Mitrovicës, bëri mrekullinë e dytë në vitin 1980, kur Kosova pati edhe përfaqësuesin e dytë në ligën e parë qendrore. Skuadrës i printe strategu Sami Mustafa.

Vitet e 80-ta shënojnë periudhën e përfaqësimit më të denjë të hendbollit kosovar në elitën e ligës më të fortë në botë me dy skuadrat  – Borcin e Ferizajt dhe Trepçën e Mitrovicës.

 

4. KAMPIONATI BOTËROR I JUNIOREVE “KOSOVA ‘79”

 

Se Kosova ishte bërë tashmë një qendër e njohur e hendbollit evropian dhe botëror u dëshmua me organizimin e Kampionatit botëror të hendbollisteve të reja “Kosova ‘79”. Në krye të Këshillit të organizimit të kësaj shfaqjeje kulmore, që u mbajt prej 13-23.10.1979, ishte akademik Esat Stavileci. Ekipi i tij prej mbi 300 vetash, bëri një punë të shkëlqyer që nga kreu i hendbollit botëror mori notën më të lartë.

Në këtë kampionat morën pjesë 13 shtete: Austria, BRSS, Danimarka, Franca, Holanda, Hungaria, Italia, Japonia, Jugosllavia, Norvegjia, RD e Gjermanisë, RF e Gjermanisë dhe SHBA-ja.

Në shtatë qendra të Kosovës: në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan, u zhvilluan gjithsej 45 ndeshje. Titullin e kampionit e fitoi BRSS-ja.

Vlerësimin më të mirë për suksesin e plotë të këtij kampionati e bëri nënkryetari i Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit, z.Alberto dë San-Roman: “… atë çka e bënë punëtorët sportivë të Kosovës me të vërtetë meriton lëvdata të mëdha. Mikpritja, animi korrekt, disiplina në shtatë palestrat kosovare dhe të gjitha “cikërrimat” që i përcollën lojërat e kampionatit, janë dëshmi se si duhet organizuar një ngjarje kësisoj. Për këtë që thashë më parë do të flas edhe aty ku është vendi – në selinë e IHF-së”.

 

5. VËSHTIRËSITË

 

Diskriminimi ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi, që kishte nisur të thuash hapur që nga viti 1981, po bëhej edhe më i rëndë. Demonstratat e studentëve të Universitetit të Prishtinës, më pas edhe të tërë popullatës së Kosovës ndikuan edhe në sportin kosovar, që përjetoi çastet më të vështira. Kudo që luanin skuadrat nga Kosova, u bëheshin padrejtësi, madje ndaj tyre ushtrohej edhe dhuna.

Pushteti represiv okupues serb në vazhdimësi dëbonte shqiptarët nga puna, të rinjtë ndiqeshin në çdo hap nga policia. Më pas u suprimua edhe autonomia e Kosovës, u futën masat e dhunshme në të gjitha federatat e sporteve të Kosovës. Tani në to punonin vetëm serbët dhe tek-tuk ndonjë shqiptar…

Përkundër gjithë këtyre padrejtësive që i bëheshin jo vetëm hendbollit të Kosovës, shqiptarët u riorganizuan dhe më 28 maj 1991 shfaqin shenjat e para të përfaqësimit të pavarur të hendbollit. Ishte Konferenca zgjedhore e Lidhjes së hendbollit të Kosovës që u mbajt në lokalet e Shtëpisë së kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë që i dha hendbollit kosovar një kuptim të ri.

Më 4 korrik të vitit 1991, në lokalet e Pallatit të Shtypit në Prishtinë, u bë mbledhja e parë e kryesisë së Lidhjes së Hendbollit të Kosovës me përbërje të re, në të cilën ishin të pranishëm Danjoll Grezda, Fahri Buçinca, Muhamet Alaj, Asllan Jahja, Besim Rugova, Musa Alaj, Sefedin Reçica dhe Xhelal Helshani.

Mbledhja e tretë e Kryesisë së Lidhjes së Hendbollit të Kosovës që u bë më 11 shtator të vitit 1991 në lokalet e Pallatit të Shtypit në Prishtinë, nisi një periudhë të re të hendbollit të Kosovës, që praktikisht do të sendërtohet më 11 tetor të vitit 1991, kur u vendos të organizohet kampionati i pavarur i Kosovës. Po këtë mision e pati edhe Kuvendi i klubeve, që u bë më 24 shtator 1991.

Më pas u hartuan të gjitha aktet normative, si dhe propozicionet e garave. Në propozicione bie në sy neni 22, i cili thotë: “Nëse ndeshja ndërpritet për shkak të dhunës nga ana e policisë serbe, atëherë ajo do të regjistrohet me rezultat baras. Në këtë mënyrë nuk do të dëmtohej asnjëra skuadër”.

Jo më 11, por më 15 tetor të vitit 1991, në Drenas u mbajt kampionati i parë i pavarur i hendbollit të Kosovës. Ishin 14 skuadra që morën pjesë: Kastrioti (ish-Borci) i Ferizajt, Drenica e Drenasit, Vëllaznimi i Gjakovës, Trepça e Mitrovicës, Besa e Pejës, Llapi i Podujevës, Vjosa e Shtimes, Kosova e Vushtrrisë, Gryka e Kaçanikut ’90, Drita e Gjilanit, Prizreni, Prishtina, Rahoveci dhe Deçani.

Titullin e kampionit e fitoi Kastrioti i Ferizajt. Po kjo skuadër ngadhënjeu edhe në garat e Kupës së Kosovës.

Takimi ndërmjet Trepçës dhe Llapit, ishte i pari që çeli kampionatin e pavarur. Gjyqtarë ishin Ukë Uka dhe Musa Alaj nga Prishtina, ndërkaq vëzhgues, Fahri Buçinca.

Në vitin 1992 u emëruan edhe përzgjedhësit e përfaqësueses së Kosovës. Përzgjedhës i përfaqësueses së meshkujve u emërua Ferki Nici, trajner i Trepçës së Mitrovicës, ndërkaq trajner – Sefedin Reçica i Kastriotit. Trajner i përfaqësueses së juniorëve u emërua Shani Brahushi i Besës së Pejës.

Ahmet Baliqi, trajner i Trepçës, u emërua përzgjedhës i përfaqësueses së femrave. Ndihmës i tij u caktua Rifat Shabani i Dritës së Gjilanit, ndërsa trajnere e junioreve, Zijavere Salihu – Loshi e Prishtinës.

Në vitin 1996, për herë të parë botohen Rregullat Ndërkombëtare të Hendbollit. Këtë libër e përgatitën Xhavit Kajtazi dhe Mehdi Jashari.

Kampionati 1997-1998 nuk mori përfundimin e pritur përmes dy stinorëve. Kjo ndodhi për shkak të dhunës së paparë që ushtronte pushteti serb ndaj shqiptarëve, si rezultat i së cilës nisi edhe lufta për çlirimin e Kosovës, që siç dihet zgjati deri më 10 qershor të vitit 1999, kur u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës. Po këto ngjarje bënë që të mos zhvillohet as kampionati 1998-1999.

Pikërisht për këtë arsye u mbajt edhe mbledhja e tridhjetë e Kryesisë së Federatës së Hendbollit të Kosovës, që u bë më 24 korrik të vitit 1999 në lokalet e Bankës në Gjilan, në të cilën, pos të tjerash, Mexhid Devaja, kryetar i Kryesisë, propozoi që “kampionati 1997-1998 të mbetet për histori si kampionat u papërfunduar ashtu siç është edhe kampionati 1998 –1999, që mbeti si kampionat i pafilluar”.

 

6. HENDBOLLI PAS VITIT 1998

 

 

Shekulli 21 për hendbollin e Kosovës ka rëndësi të veçantë. Kreu i Federatës së hendbollit të Kosovës, që për disa vite rresht e drejtoi Mexhid Devaja, ka arritur sukses historik, që pakkush e kishte pritur. Qysh nga viti 1998, por më fuqishëm gjatë vitit 2004, u  intensifikuan përpjekjet për ndërkombëtarizimin e hendbollit të Kosovës, përkatësisht pranimin e Federatës së Hendbollit të Kosovës në Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF) dhe Federatën Evropiane të Hendbollit (EHF).

 

Kapitull i veçantë është veprimtaria e hendbollit pas vitit 1999. Popullata e dëbuar me dhunë nga Kosova, po kthehej rrufeshëm në vendlindje. Kosovës po i kthehej edhe sporti, nisi të frymojë lirshëm edhe hendbolli.

 

Kampionati i parë i pasluftës nisi më 1999. Kampion doli Kastrioti i Ferizajt në të dy konkurrencat, ndërsa Trepça e Mitrovicës – në konkurrencën e juniorëve.

 

Kronika e shkurtër e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe e kontakteve me personalitetet më të shquara të hendbollit evropianë e botëror përfundoi me sukses…

 

Në vitin 1998 u bë vizita e parë në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Në dhjetor të vitit 1999 u bë vizita e radhës në Turqi.

Nga 12 dhjetori i vitit 2000, kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave zhvilloi dy ndeshje me ekipin bullgar Pirin, në Blagoevgrad të Bullgarisë. Ekipet e njëjta luajtën përsëri në mars të vitit 2001.

Ndërmjet 6-11 shtatorit të shtator të vitit 2001, kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e meshkujve u ftua për të zhvilluar ndeshje miqësore me ekipe hendbollistike të Turqisë. Kosova zhvilloi dy ndeshje, me Keleçolun dhe Beshiktashin.

Më 28 nëntor të vitit 2001, ekipi turk Keleçolu zhvilloi një ndeshje miqësore në Prishtinë me përfaqësuesen e Kosovës. I njëjti ekip nga Turqia luajti edhe një ndeshje miqësore me Prizrenin (njërin nga ekipet e Superligës).

Më 2 korrik të vitit 2002, një ekip nga Kosova mori pjesë në turneun e hendbollit në rërë në Turqi. Kjo ishte hera e parë që ekipet kosovare morën pjesë në këtë lojë të re…

Një ndër takimet më të rëndësishme që i zhvilloi kryetari i FHK-së Mexhit Devaja dhe nënkryetari Fazli Berisha, ishte ai në Kajro të Egjiptit, më 13 korrik, me z. Hasan Mustafa, kryetar i Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit dhe kryetar i e Federatës së Hendbollit të Egjiptit. Ky takim u shfrytëzua për të promovuar hendbollin kosovar në institucionet më të larta botërore dhe të kërkojë njohje ndërkombëtare, pas dhjetë vjet të mbijetesës…

Një ndër veprimtaritë e para ndërkombëtare ishte ndeshja e parë e zhvilluar në cilindo sport në mes të përfaqësueses së Egjiptit dhe përfaqësueses së Kosovës për të rinj (U 21) që u zhvillua më 15 dhjetor 2002 në Gjakovë (ndeshje kjo që rezultoi nga takimi i kreut të Federatës së Hendbollit të Kosovës me dr Hasan Mustafën gjatë vizitës së bërë më 13 korrik 2002). Takimin e fitoi përfaqësuesja e Egjiptit me rezultat 32:21.

Në fillim të vitit 2003, Bordi i Federatës së Hendbollit të Kosovës nismën për rimëkëmbjen e Federatës Shqiptare të Hendbollit, e cila, edhe pse zyrtarisht e pranuar, nuk zhvillonte veprimtari as në rrafshin vendor, as në rrafshin ndërkombëtar.

Mexhit Devaja (kryetar) dhe Izet Gjinovci (sekretar i përgjithshëm), në ditët e para të janarit të vitit 2003, qëndruan dy herë në Tiranë dhe pas shumë kontaktesh, në ministrinë  e Shqipërisë, ia dolën të aktivizojnë këtë federatë pas 10 viteve të shuarjes së veprimtarisë në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar.

 

Kreu i FHK-së, i përbërë nga kryetari dhe sekretari, në fund të janarit të vitit 2003, qëndroi në Sarajevë, ku u pritën nga sekretari i përgjithshëm i Federatës boshnjake z.Smajo Karaçiq. Në fund të këtij takimi mjaft të frytshëm, u arrit marrëveshja për një bashkëpunim edhe më të ngjeshur mes dy federatave.

Rezultat i parë i këtij bashkëpunimi ishte pjesëmarrja dhe ligjërimi i dy ekspertëve në seminaret e FHK-së para Shoqatave të trajnerëve dhe gjyqtarëve, i cili u sendërtua në fund të shkurtit të vitit 2004.

Delegacioni i Federatës së Hendbollit të Kosovës, me ftesë zyrtare të Federatës qipriote (të pjesës turke), prej 16-18 prill të vitit 2004, qëndroi në vizitë pune në këtë vend.

Në vazhdën e veprimtarive ndërkombëtare, përfaqësuesja e Kosovës e hendbollit në rërë, ishte pjesëmarrëse e tri turneve tradicionale në Turqi dhe në Qipron Veriore. Në turneun “Allania 2003”,  që u bë prej  24 – 29. 6. 2003 Kosova zuri vendin e gjashtë, ndërsa në turneun “Antalia 2003” – prej  2 – 6.7.2003 të katërti. Portieri i përfaqësueses së Kosovës,Veton Hajrizi, u shpall portieri më i mirë i turneut. Në turneu “Qipro 2003”, që u bë prej  7 – 10. 7. 2003 përfaqësuesja e Kosovës pati rezultate shumë të mira – zuri vendin e dytë pasi humbi nga Turqia.

Në hapjen solemne të Kampionatit Botëror në hendboll për të reja, më 2 gusht 2003, në Ohër të  Maqedonisë, mori pjesë edhe delegacioni i FHK-së. Qëllimi ishte, që, përveç pjesëmarrjes në këtë ngjarje të rëndësishme botërore, të shfrytëzohet rasti për t’u takuar me vetë kreun e hendbollit botëror z. Hasan Mustafa, kryetar i IHF-së, si dhe me sekretarin e përgjithshëm të IHF-së z. Raimond Han.

Delegacioni i FHK-së, gjatë hapjes së Kampionatit Botëror te hendbollisteve ne Kroaci më 2.12.2003, pati takime me njerëzit udhëheqës të dy asociacioneve botërore IHF-së dhe EHF-së, z. Hasan Mustafa dhe z. Stefan Holmkvist, në takimin  e tyre të paraparë nga z. Mustafa në Split gjatë hapjes se Kampionatit botëror të femrave, më 3 dhjetor 2003.

 

Pas takimit të Splitit, Mexhit Devaja dhe Izet Gjinovci, nga data 10-11dhjetor 2003, qëndruan në vizitë pune në Tiranë, ku u pritën nga z.Myrteza Miftari kryetar i FSHH-së dhe Stavri Bello, sekretar i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe me atë rast edhe zyrtarisht u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit në mes dy Federatave me bazë reciprociteti.

 

Me ftesë të Federatës bullgare të hendbollit, përkatësisht të sekretarit të përgjithshëm z. Rumen Ivançev, delegacioni kosovar, më 17 dhe 18 dhjetor 2003, qëndruan në një vizitë pune në Bullgari. Me këtë rast nga pala bullgare u vërtetua se FHK-ja do të ndihmohet në anëtarësim pranë EHF-së.

Në “Evropianin 2004“, në Slloveni, morën pjesë zyrtarët e Kosovës, ku u pritën nga zyrtarët e Federatës sllovene të kryesuar nga kryetari z. Zoran Jankoviq (kandidat për kryetar të EHF –së), drejtori i Kampionatit të 6-të evropian z. Leon Kalin, sekretari i përgjithshëm z. Leopold Kalin dhe anëtari i Këshillit të Organizimit të Evropianit z. Herbert Jegliq. Zyrtarët e Federatës sllovene e përkrahën dhe premtuan se do ta mbështesin anëtarësimin  e FHK-së në EHF, duke theksuar se ata nuk kanë hezituar fare që FHK-në ta e thërrasin si mysafire në këtë kampionat.

 

Kreu i FHK-së u takua edhe me njeriun  e parë të hendbollit evropian z. Stefan Holmkvist. Gjatë qëndrimit në Slloveni kosovarët bënë shumë udhëtime për t’i përcjellë takimet dhe për të takuar zyrtarët e federatave gjegjëse, siç ishte takimi në Kopër me z. Jean Verigneci, nënkryetar i Federatës franceze të hendbollit.

 

Frytdhënës ishte edhe takimi me kryetarin Pavol Derfenyi dhe nënkryetarin e Federatës Sllovake z. Jozef Ambrus, njëherësh edhe anëtar i Komitetit ekzekutiv të EHF-së dhe përgjegjës për lëmin e gjykimit. Z. Ambrus nga Sllovakia, sikur edhe atë të trajnerëve  z. Frantishek Taborski, nënkryetar i Federatës çeke të hendbollit dhe anëtar i Komitetit ekzekutiv (Këshillit drejtues) të EHF –së.

Nga data 10 – 13 mars 2004, përfaqësuesja e Kosovës, Tefik Mikushnica (përzgjedhës), Vehbi Leku (mjek), Bekim Dashi, Fisnik Salihu, Taip Ramadani, Agron Shabani, Arben Muçolli, Florent Beqiri, Burim Zaskoku, Florim Haxhimusa, Leonard Cula, Flamur Salihu, Alban Dobroshi, Riad Hasani, Hamëz Gjuka, ishte mysafire e Lidhjes së Sportit të qytetit Esen nga Republika e Gjermanisë. Me atë rast zhvilloi edhe një takim miqësor me përfaqësuesen e Esenit duke korrur fitore me rezultat të lartë 39:30.

Mexhit Devaja dhe Izet Gjinovci, morën pjesë në punimet e Kongresit të 7-të të EHF-së, që u mbajt nga data 7 dhe 8 maj 2004. E veçanta e këtij Kongresi ishte kërkesa e FHK-së për anëtarësim, që formalisht u prapësua për shkak të shpërfilljes së afatit ligjor për konkurrim. Mirëpo, ajo u diskutua dhe në fund u fut si konkluzion e këtij Kongresi.

Në debatin lidhur me pranimin  e anëtarëve të rinj të EHF-së, Skocia u pranua, sepse  i kishte të gjitha dokumentet e nevojshme (pëlqimin  e Britanisë së Madhe dhe të KNO-së), kurse kërkesa e Kosovës dhe e Monakos u vendos të shqyrtohet në dhjetor në Kongresin e IHF-së, apo në ndonjë Kongres tjetër të jashtëzakonshëm të EHF-ë. Kërkesa e Kosovës u gjend në rend të ditës dhe u diskutua në mënyrë shumë pozitive nga kryetari Stefan Holmkvist. Ai sugjeroi që t’i ndihmohet Kosovës të anëtarësohet në familjen evropiane të hendbollit.  Askush nuk ishte kundër propozimit të tij që kjo të jetë si konkluzion i Kongresit, gjë që tregon se pjesëmarrja e Kosovës në këtë Kongres ishte shumë e suksesshme dhe e frytshme.

Kryetari i FHK-së, nga data 10-14 tetor 2004, qëndroi në një vizitë pune në selinë e IHF-së në Bazel të Zvicrës. Pos kompletimit të dokumentacionit të kërkesës për pranim në IHF, pati edhe një takim pune me dr Hasan Mustafën, me ç`rast u bisedua për mundësitë dhe gjasat reale të FHK-së për pranim në IHF gjatë muajit dhjetor 2004, kur u mbajt Kongresi i 30-të i IHF-së. Gjatë qëndrimit në Bazel, u bënë konsultimet rreth takimit që do të ketë FHK-ja me delegacionin e SMZ-së në Vjenë, më 15.10.2004.

Pas kësaj vizite dhe pas bisedimeve të zhvilluara erdhi ftesa zyrtare nga EHF-ja për pjesëmarrje në bisedime me kreun e EHF-së dhe të SMZ – së  në Vjenë, më saktësisht në selinë e Federatës evropiane të hendbollit. Takimi i parë zyrtar në mes të delegacionit të FHK-së në përbërje z. Mexhit Devaja (kryetar i FHK-së), z. Izet Gjinovci (sekretar i përgjithshëm i FHK-së) dhe Xhevat Shabanaj (interpretues gjuhësor) dhe atij të Bashkësisë së Hendbollit Serbi dhe Mali i Zi  në përbërje z. Zoran Radojiçiq (kryetar i BHSMZ), Zoran Miqoviq (kryetar i Asamblesë të kësaj bashkësie) dhe Bozhidar Gjurkoviq (sekretar për marrëdhënie ndërkombëtare pranë kësaj bashkësie), u bë më 15 tetor 2004. Nga Federata Evropiane  e Hendbollit ishin z. Mihail Viderer (sekretar i përgjithshëm dhe z. Jan Tuik (përgjegjës për gara pranë EHF –së dhe anëtarë i Komitetit ekzekutiv të EHF-së), si dhe Vesna Llaziqi nga zyra e EHF- së.

Në përmbyllje të takimit, z. Mihail Viderer tha: “Është mirë se në këtë takim ndodhet edhe z. Jan Tuik, përgjegjës për garat e Kupave të Evropës dhe anëtar i Komitetit ekzekutiv, i cili do t’i raportojë Komitetit ekzekutiv lidhur me specifikën e garave, kurse ne, pa marrë parasysh qëndrimet tuaja, vendimet do t’i marrim në mbledhjen e Komitetit ekzekutiv të EHF-së më  6.11.2004, kur edhe mbahet konferenca e kryetarëve të federatave të Evropës”.

 

Më 6.11.2004 në Vjenë, u mbajt mbledhja e Komitetit ekzekutiv  të EHF-së, dhe pas përfundimit të takimit kreu i EHF-së, Tor Lian dhe sekretari i përgjithshëm z.Mihail Viderer, e njoftuan kryetarin e FHK-së z.Mexhit Devaja ( i cili në këtë takim ishte vetëm) për vendimin e Komitetit ekzekutiv të EHF-së, i cili në mbledhje vendosi unanimisht (9), që kërkesa e FHK-së të jetë në rendin e ditës të Kongresit të jashtëzakonshëm, i cili u mbajt në Budapest të Hungarisë më 18.11.2004.

 

Delegacioni i FHK-së, nga data 1 – 5.12.2004, mori pjesë në punimet e Kongresit të 3-të të IHF-së,  i cili u organizua në El Goyna të Egjiptit. Në Kongres delegacioni shkoi me dy qëllime, që i arriti plotësisht: së pari, të shikohet mundësia e pranimit të FHK-së në IHF, dhe, së dyti,  të kërkohet edhe një herë mbështetja nga përfaqësuesit e disa shteteve evropiane para Kongresit të EHF-së.

Me ftesë zyrtare të Federatës së Hendbollit të Luksemburgut, nga data 16-21 dhjetor 2004, Përfaqësuesja e Kosovës mori pjesë në turneun ndërkombëtar  “Katër kombet” në Betemburg. Në këtë turne morën pjesë edhe Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu. FHK-ja u paraqit me përfaqësuesen “A”. U arrit një sukses i madh; turneu organizohej në çastin kur edhe kërkesa e FHK-së ishte në rend të ditës në Kongresin e jashtëzakonshëm të EHF-së  më 18 dhjetor në Budapest. Kjo veprimtari e sensibilizonte edhe më shumë hendbollin kosovar. Kosova shënoi fitore ndaj Holandës me rezultat 30:26 (11:11), kurse humbi nga Luksemburgu me rezultat 25:19(12:8) dhe Belgjika 32:22(15:14).

Derisa përfaqësuesja e Kosovës zhvillonte ndeshjet e para zyrtare ndërkombëtare në nivele të përfaqësueseve në Luksemburg, delegacioni i FHK-së (Mexhit Devaja dhe Izet Gjinovci), udhëtoi në Budapest, me shpresë  se përfundimisht FHK-ja do të anëtarësohet në EHF.

Më 18 dhjetor, në orën 9, në sallën e Kongreseve të Hotel “Helia”, filloi punimet Kongresi i jashtëzakonshëm i EHF-së. Delegacioni i FHK-së kishte përgatitur materiale të ndryshme të marketingut, siç ishin fanellat me mbishkrim dhe emblemë të FHK-së, emblema e FHK-së, flamuj dhe broshura të ndryshme në anglisht. Të gjitha këto ua shpërndanë pjesëmarrësve para fillimit të punimeve të Kongresit. Në ndërkohë, në punimet e Kongresit i erdhi radha edhe pikës së nëntë, shqyrtimi i kërkesës së FHK-së për pranim në EHF. Delegacioni kosovar, i cili i ndiqte punimet drejtpërdrejt u udhëzua ta lëshojë sallën e Kongresit për aq kohë sa do të shqyrtohej kërkesa e FHK-së. Pas dhjetë minutash dhe ftesës që prapë të rikthehen në sallë, delegacionit tonë iu komunikua VENDIMI i Kongresit se FHK-ja nga dita e 18 dhjetorit të vitit 2004, është anëtare e EHF-së, me 20 vota për, 10 abstenime dhe 6 kundër.

 

7. RRUGA DERI NË IHF…

 

Të arriturat 57-vjeçare të hendbollit të Kosovës janë një histori e rëndësishme e sportit botëror. Kjo rrugë kaq e gjatë, gjatë shekullit 20 dhe  fillimit të shekullit 21, u përshkua me suksese të shënueshme. Pranimi i kushtëzuar në Federatën evropiane të hendbollit (EHF), është hapi i parë i bërë me shumë mund. Skuadrat e Kosovës tash po i bëjnë planet se si të paraqitën sa më denjësisht zyrtarisht në garat e kupave evropiane.

 

Federata e Hendbollit e Kosovës po vazhdon me këmbëngulësi veprimtarinë në rrafshin ndërkombëtar. Në radhë është pranimi i plotë në Federatën evropiane të hendbollit (EHF) dhe në Federatën ndërkombëtare të hendbollit (IHF)…

… Më 5 shkurt 2007 në Bon të Gjermanisë më saktësishtë në ambientet e Hotel u mbajt mbledhja e Këshillit drejtues të IHF-it, dhe me këtë rast pasi u shqyrtua kërkesa  e FHK-së për pranim të plotë në IHF, u mor vendim që FHK-ja të fiton statusin e anëtarit me të drejta të kushtëzuara, vendim ky që u zyrtariza në Kongresinë  e  31-të të IHF-it, i cili u mbajtë nga data 27-28 prill 2007 në të cilin ishin prezent edhe delegacioni i FHK-së në krye me kryetarin Mexhit Devaja, Sekretarin e përgjithshëm Izet Gjinovci dhe anëtarin e Bordit Faruk Mujka.