• Shqip
  • English
  • German
  • French
Statuti i SHGJHK-së
Statuti i SHGJHK-së
Statuti i SHGJHK-së
 
Në bazë të nenit 3.3, 3.4.1 dhe 3.5 të Statutit të Federatës së Hendbollit të Kosovës, Kuvendi i Shoqatës së Gjyqtarëve të Hendbollit të Kosovës, në seancën e vet të mbajtur me datën 27.01.2007, miratoi këtë:
 
S T A T U T
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
 Me këtë statut rregullohet emërtimi, selia dhe shtrirja territoriale e veprimtarisë së SHGJHK-së , mënyra dhe veprimtaria me të cilën realizohen qëllimet, mënyra e punës publike, anëtarët dhe anëtarësia, të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë disiplinore të anëtarëve, mënyra e organizimit të brendshëm dhe organet e SHGJHK-së, përbërja dhe kompetencat, mënyra e vendosjes, kushtet dhe mënyra e zgjedhjes dhe revokimit, kohëzgjatja e mandatit të anëtarëve të organeve të SHGJHK-së, përgjegjësia e tyre, shfrytëzimi dhe disponimi i mjeteve, mënyra e fitimit dhe tjetërsimit, shfrytëzimi dhe disponimi me këto mjete, si dhe shfrytëzimi dhe disponimi me mjete në rast të shuarjes së shoqatës.
Neni 2
Emërtimi i shoqatës është:
SHOQATA E GJYQTARËVE TË HENDBOLLIT E KOSOVËS
ASSOCIATION OF HANDBALL REFFEREES OF KOSOVA
Emërtimi i shkurtër është: SHGJHK-së (në tekstin e mëtejmë Shoqata).
Selia e SHGJHK-s është në Prishtinë rr.Agim Ramadani, Shtepia e Sporteve nr. 15
Llogaria rrjedhese: Banka e Re e Kosoves, numri i kontos: 1201004400003026 në Prishtinë.
Neni 3
SHGJHK-ja e ka vulën dhe shenjën e vet.
Vula është e formës së rrumbullakët me diameter 35 mm dhe me mbishkrimin:
Shoqata e Gjyqtarëve e Hendbollit e Kosovës
Association of Handball Refferees of Kosova
Shenja e SHGJHK-s është amblema e FHK-së me hartën e Kosovës dhe pipin e gjyqtarit në mes.
 
Neni 4
SHGJHK-në e përfaqëson kryetari.
Në mungesë të tij kryetari e cakton personin nga përbërja e Këshillit drejtues që do ta zëvendësojë.
Kryetari përveç që e përfaqëson SHGJHK-në kujdeset dhe përgjigjet për punën e saj në kuptim të dispozitave ekzistuese të sportit të hendbollit, zbaton vendimet dhe konkluzat e kuvendit, si dhe aktet e tjera në përputhje me dispozitat e këtij statuti.
QËLLIMI DHE VEPRIMTARIA 
Neni 5
SHGJHK-ja është organ i FHK-së, SHGJHK-ja është e themeluar si organizatë vullnetare me qëllim të përparimit, zhvillimit dhe avancimit të gjyqtarëve në referim, si dhe mbikëqyrjen e përparimit dhe zhvillimit nëpërmes kontrollit të referimit. 2
SHGJHK-ja me qëllim të realizimit të qëllimeve për të cilat është themeluar: përparimi, zhvillimi dhe avansimi i gjyqtarëve në referim si dhe mbikqyrjen dhe zhvillimin nëpërmes të kontrollit të referimit. dhe mund të anëtarësohet në shoqatat e tjera në mënyrën e përcaktuar me këtë statut dhe me aktet e
tjera, në mënyrë të pavarur vendos për çështjet organizative, financiare, profesionale dhe çështjeve tjera.
Neni 6 
Veprimtaria e SHGJHK-së:
- përcakton politikën e veprimtarisë së vet, aprovon planet dhe programet e punës me qëllim të zhvillimit  të lëmit të SHGJHK-së me aktivitet të ndërsjelltë të anëtarësisë,
- përvetësimi i rregullave të lojës me qëllim të përparimit dhe avancimit të saj,
- kujdesi për referim dhe kontrollim të referimeve sipas rregullave të lojës,
- organizimi i seminareve dhe trajnimeve të ndryshme profesionale me qëllim të përparimit dhe aftësimit profesional të anëtarëve, me qëllim të ngritjes së cilësisë së referimit dhe kontrollimit      të anëtarëve të saj.
- përgatitja dhe organizimi i kurseve – trajnimeve për gjyqtarë dhe kontrollues të rinj me qëllim të avancimit të punës së tyre profesionale,
- harmonizimi i veprimtarive dhe kontakteve, si dhe mbajtja e bashkëpunimit në mes anëtarëve të SHGJHK-së, përfaqësuesve të tubimeve në
  Kosovë dhe jashtë e posaçërisht me shoqatat ndërkombëtare IHF dhe EHF.
- pjesëmarrja në hartimin e propozimit mbi sistemin dhe mënyrën e organizimit të garave në hendboll, si dhe në aprovimin e listave të gjyqtarëve
  dhe kontrolluesve sipas cilësisë së referimit, si dhe kontrollimit në ndeshje të rangjeve të ndryshme, të cilin definitivisht e miraton Bordi i FHK-së.
- kujdesi për aftësim sportiv, shëndet, mirëkuptim reciprok dhe aprovimi i vlerave morale në sport,
- dhe punë të tjera me interes për shoqatën.
Neni 7
 Puna e SHGJHK-së është publike.
Publiciteti i punës së SHGJHK-së realizohet në mënyrën e përcaktuar me statut:
- me raportim të rregullt të anëtarëve lidhur me punën dhe veprimtarinë në seancat e kuvendit
- publikimin dhe dorëzimin e vendimeve të shkruara anëtarësisë,
- me pjesëmarrje të anëtarëve në takime dhe këshillime profesionale,
- raporte të shkruara, të cilat publikohen në buletinin zyrtar,
- bashkëpjesëmarrjen në organet e kuvendit, me njoftim të mjeteve të informimit.
 
ANËTARËSIMI NË SHGJHK-ë
Neni 8
Anëtarë të SHGJHK-së mund të bëhen tubimet komunale të gjyqtarëve, si dhe çdo person fizik që nuk iu ka marrë aftësia e punës, nënshtetas i Kosovës, me provimin
e dhënë për gjyqtar apo kontrollues të hendbollit.
Në parim çdo anëtar i SHGJHK-së vepron në kuadër të tubimeve komunale atje ku e ka vendqëndrimin apo vendbanimin e përhershëm.
Neni 9
Gjyqtar apo kontrollues i henbollit bëhet çdo person me provim të dhënë në bazë te këtij statuti dhe akteve të tjera të SHGJHK-së. 3
Neni 10
Çdo anëtar i SHGJHK-së duhet të ketë librezën e anëtarësisë.
Forma, përmbajtja dhe mënyra e dhënies së librezës rregulohet me vendim të posaçëm të Këshillit drejtues.
SHGJHK-ja e ka librin e evidencës, të cilin e udhëheq sekretari i Shoqatës.
Neni 11
Çdo anëtar i SHGJHK-së është i obliguar ta paguajë anëtarësinë vjetore. Për mënyrën dhe shumën e anëtarësisë vendos Këshilli drejtues i SHGJHK-së, me propozim të kryetarit.

TË DREJTAT, DETYRAT DHE PËRGJEGJËSIA DISIPLIORE E ANËTARËVE
Neni 12
Të drejtat dhe detyrat e anëtarëve të SHGJHK-së janë të përcaktuara me këtë statut:
- Marrja pjesë në qeverisje dhe udhëheqje në seancat e kuvendit dhe në organet e tjera,
- Zgjedhja e anëtarëve të të gjitha organeve të SHGJHK-së,
- Zgjedhja e disahershme radhazi në organet e SHGJHK-së dhe pjesëmarrja në bazë të autorizimit në punën e SHGJHK-së dhe organeve të FHK,
- Referimi i ndeshjeve,
- Kontrollimi i referimit,
- Pagesa e anëtarësisë dhe e përqindjes,
- Aftësimi profesional, si dhe pjesëmarrja e obligueshme në seminare dhe testime të parapara me planin e punës dhe përmbushja e të gjitha
  vendimeve dhe obligimeve të marra,
- Mbrojtja e autoritetit të anëtarëve .
- Ruajtja e pasurisë së SHGJHK-së, si dhe kryerja e obligimeve që merren nga SHGJHK-ja,
- Realizimi i të drejtave dhe detyrave të tjera.
Neni 13
Anëtarësimi në SHGJHK-së pushon:
- Me kërkesë personale,
- Me mos pagesë të anëtarësisë,
- Me vendim mbi përjashtimin nga SHGJHK-së për shkak të përgjegjësisë disiplinore të parapara me akte normative të SHGJHK-së
- Me humbjen e thirrjes – titullit të gjyqtarit apo kontrolluesit,
- Me vdekjen e anëtarit,
- Me shlyerjen nga libri i evidencës së SHGJHK-së për shkak të shuarjes së veprimtarisë së SHGJHK-së,
- Me ndërprerjen e veprimtarisë së anëtarit në kuadër të SHGJHK-së,
- Me vendim të kuvendit të SHGJHK-së.
Neni 14
Çdo anëtar i SHGJHK-së, të cilit i ka pushuar cilësia e anëtarësisë çregjistrohet nga libri i evidencës dhe i humb të gjitha të drejtat dhe obligimet që dalin nga statuti dhe aktet e tjera të SHGJHK-së.
Anëtari të cilit i ka pushuar cilësia e anëtarësisë në SHGJHK-së është i obliguar që t’i kryejë të gjitha obligimet ndaj SHGJHK-së.
Neni 15
Anëtarit të SHGJHK-së, të cilit i ka pushuar e drejta në anëtarësi, e paraparë me nenin 13 alineja 2, 3, dhe 5 vendos Komisioni disiplinor i SHGJHK-së.
Në vendimin e Komisionit disiplinor pala e pakënaqur ka të drejtë ankese Këshillit drejtues të SHGJHK-së në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së vendimit.
Vendimi i kuvendit është i prerë.
Neni 16
 Gjyqtari ose kontrolluesi sipas rregullit duhet të pushojë së vepruari pas 15 vjet veprimtarie të pandërprerë dhe në qoftë se e ka kaluar moshën 50-vjeçare për gjyqtar, ndërsa për kontrollues mosha 65 vjeç për meshkuj. Kontrolluesit instruktor të cilët gjenden në listat ndërkombëtare sipas rregullit duhet të pushoi së vepruari në moshën 68-të vjeçare.
Kontrollues instruktor shpallet me vendim të Këshillit drejtues të SHGJHK-së i cili ka mbushur 65 vjet dhe gjendet në Listat e EHF-it apo IHF-it, duke marr për bazë veprimtarinë dhe kontributin e dhënë në avancimin përkatësisht në zhvillimin dhe përparimin e hendbollit në tërësi.
Të drejtat dhe detyrat, si dhe obligimet e anëtarëve të pushuar rregullohen me vendim të posaçëm të Këshillit drejtues.
Neni 17
SHGJHK-ja mund t’i bashkohet ndonjë shoqate simotër dhe mund të ketë bashkëpunim të ndërsjellët me to.
Për bashkim dhe bashkëpunim me shoqatat e tjera vendos Kuvendi i SHGJHK-së.
Neni 18
Anëtarët e SHGJHK-së kanë përveç detyrave dhe të drejtave, edhe përgjegjësi ndaj SHGJHK-së. Përgjegjësinë ndaj SHGJHK-së e vlerëson Komisioni disiplinor i përbërë prej tre anëtarëve, të cilët i zgjedh Këshilli drejtues i SHGJHK-së.
Neni 19
Kërkesën për hapjen e procedurës disiplinore mund ta paraqesë çdo anëtar i SHGJHK-së nëpërmes fletëparaqitjes me shkrim, të drejtuar Komisionit disiplinor, i cili e ka obligim që ta udhëheqë procedurën në bazë të dispozitave të këtij statuti dhe të rregullores disiplinore të SHGJHK-së.
Mandati i Komisionit disiplinor zgjat dy vjet. Kundër vendimit të Komisionit disiplinor pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së vendimit, Këshillit drejtues.
Puna dhe veprimtaria e këtij komisioni detajizohet më mirë në rregulloren disiplinore të SHGJHK-së.
 
UDHËHEQJA DHE ORGANET E SHOQATËS
Neni 20
  Organet e SHGJHK-së janë:
- Kuvendi,
- Kryetari
- Këshilli drejtues dhe
- Këshilli mbikëqyrës
 
KUVENDI
Neni 21
Kuvendi është organi më i lartë i udhëheqjes në SHGJHK-së, i cili vendos në seanca për çështje nga fushë veprimtaria e vet.
Kuvendi është i rregullt, zgjedhor dhe i jashtëzakonshëm.
Kuvendin e përbëjnë nga tre delegatë të autorizuar nga tubimet komunale të gjyqtarëve dhe kontrolluesve, të cilët kanë më së paku 5 anëtarë në SHGJHK-së dhe të cilët janë aktivë.
Tubimet komunale të gjyqtarëve dhe kontrolluesve që i kanë 20 e më shumë anëtarë kanë të drejtë të kenë edhe delegatin e katërt (4) në Kuvend, kurse ato Tubime që kanë mbi 30 e më shumë anëtarë kanë të drejtë të kenë edhe delegatin e pestë (5), që do të thotë në çdo anëtarë kanë të drejtë edhe nga një delegat për Kuvendin e SHGJHK-së.
Mandati i delegatëve të Kuvendit zgjat 4 vjet dhe nuk është i kufizuar.
Delegati i Kuvendit mund të revokohet.
Delegati revokohet në mënyrën dhe procedurën e paraparë për zgjedhjen e tij.
Mandati i delegatit të rizgjedhur zgjat deri në zgjedhjet e ardhshme të rregullta.
Për revokimin e delegatit vendos Kuvendi.
Neni 22
Mbledhja e rregullt e Kuvendit mbahet një herë në vit, ndërsa Kuvendi zgjedhor çdo katër vjet.
Mbledhjen e Kuvendit e konvokon kryetari.
Mbledhjen e Kuvendit kryetari mund ta konvokojë sipas nevojës.
Neni 23
Mbledhjen e Kuvendit e konvokon kryetari më së paku 10 ditë para datës së caktuar me thirrje të veçantë.
Në thirrje për konvokimin e mbledhjes së Kuvendit është e obligueshme të përcaktohet rendi i ditës, data, koha, si dhe vendi i mbajtjes së Kuvendit.
Mbledhjen e rregullt të Kuvendit e udhëheq kryetari, në qoftë se Kuvendi nuk vendos ndryshe.
Neni 24
Mbledhjen zgjedhore dhe të jashtëzakonshme të Kuvendit e udhëheq kryetari deri në zgjedhjen e Kryesisë së punës, e cila i ka tre anëtarë: kryesuesin dhe dy anëtarë të Kryesisë së punës.
Neni 25
Mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit e konvokon kryetari, në bazë të kërkesës me shkrim të:
- Këshillit drejtues,
- Këshillit mbikëqyrës
- Të më shumë se gjysmës së tubimeve komunale të gjyqtarëve dhe kontrolluesve dhe
- Të dy të tretave të numrit të delegatëve në Kuvend.
Nëse kryetari nuk e konvokon mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit në afat prej 10 ditësh nga dita e kërkesës së parashtruar, mbledhjen do ta konvokojë sekretari i SHGJHK-së dhe do të veprojë në kuptim të dispozitave të këtij statuti.
Në mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit mund të vendoset vetëm për atë për çka është konvokuar.
Neni 26
Kuvendi vendos në mënyrë të plotëfuqishme nëse në të marrin pjesë më tepër se gjysma e delegatëve të autorizuar, dhe vendimet janë të plotëfuqishme nëse votojnë më shumë se gjysma e delegatëve të pranishëm, përveç nëse është fjala për:
- zgjedhjen dhe revokimin e kryetarit të SHGJHK-së,
- zgjedhjen dhe revokimin e anëtarëve të Këshillit drejtues dhe
- ndërrimet dhe plotësimet e dispozitave të Statutit, për të cilat vendoset me 2/3 e numrit të përgjithshëm të delegatëve në Kuvend.
Për punën e Kuvendit mbahet procesverbali, i cili ruhet në administratë të FHK-së, nën mbikëqyrje të sekretarit të SHGJHK-së.
Neni 27
Thirrja për mbledhje të Kuvendit me rendin e përcaktuar të ditës, si dhe materiali i përgatitur me shkrim u dërgohet më së voni 10 ditë para mbajtjes së mbledhjes:
- Delegatëve të Kuvendit,
- Tubimeve komunale të gjyqtarëve
- Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Neni 28
Kuvendi:
- Aprovon Statutin dhe aktet e tjera të SHGJHK-së,
- Përcakton politikën, planin dhe programin e punës me qëllim të avancimit të lëmit,
- Aprovon planin financiar dhe llogarinë përfundimtare,
- Bën ndarjen e mirënjohjeve, lavdatave dhe shpërblimeve,
- Zgjedh dhe revokon kryetarin,
- Zgjedh dhe revokon anëtarët e Këshillit drejtues dhe Këshillit mbikëqyrës,
- Vendos për lutje dhe ankesa,
- Vendos mbi anëtarësimin e tubimeve komunale të gjyqtarëve dhe kontrolluesve,
- Shqyrton raportin e punës së organeve të SHGJHK-së,
- Përcakton kahjet e punës së organeve dhe anëtarësisë së SHGJHK-së,
- Themelon organe të përhershme dhe të përkohshme me vendim të posaçëm, duke iu përcaktuar fushëveprimin, detyrat dhe afatet e kryerjes së punëve konkrete,
- Vendos mbi pushimin e punës së SHGJHK-së,
- Kryen edhe punë të tjera të përcaktuara me Statut dhe me akte të tjera të SHGJHK-së.
Me rregulloren mbi punën e Kuvendit rregullohet mënyra e veprimtarisë, të drejtat dhe detyrat e delegatëve të Kuvendit, si dhe çështjet e tjera të rëndësishme për
veprimtari dhe punë të Kuvendit.
 
KRYETARI
Neni 29
Kryetari i SHGJHK-së zgjidhet me propozim të më së paku tre Tubimeve komunale të gjyqtarëve apo 10 delegatëve të Kuvendit me votim të mëshehtë.
Mandati i kryetarit zgjat 4 vjet dhe nuk është i kufizuar.
Kryetari:
- Përfaqëson SHGJHK-së,
- Kryen dhe harmonizon punët ekzekutive, si dhe punë të tjera të parapara me këtë statut, 7
- Propozon anëtarët e Këshillit drejtues dhe udhëheq me punën e Këshillit, nënshkruan vendime dhe akte të tjera të Këshillit drejtues, si dhe
- Përcakton autorizimet në kuadër të veprimtarisë së SHGJHK-së,
- Për punën e vet i përgjigjet Kuvendit dhe mund të revokohet për shkak të mos përmbushjes së detyrave të parapara me Statut, vendime të Kuvendit, si dhe
organeve të tjera të SHGJHK-së,
- Revokimi i kryetarit bëhet në të njëjtën mënyrë sikurse edhe është zgjedhur,
- Për punën e vet i paraqet raport Kuvendit.
 
KËSHILLI DREJTUES
Neni 30
Këshilli drejtues përbëhet prej shtatë (7) anëtarëve, të cilët i zgjedh Kuvendi, duke pasur parasysh përkatësinë rajonale të delegatëve.
Në Këshillin drejtues duhet pasur kujdes që të jenë anëtarë 30% sipas përkatësisë gjinore (një delegatë) dhe 10% nga radhët e pakicave sipas Ligjit për Sport dhe Akteve nënligjore të DSK-së dhe duhet të jenë vende të rezervuara.
Në Këshillin drejtues emërohen personat, të cilët me punën e tyre profesionale në SHGJHK-ë janë dalluar, gëzojnë autoritet, si dhe me aktivitetin e tyre në dhe rreth SHGJHK-së janë dalluar.
Kryetari është anëtar i Këshillit drejtues dhe udhëheq me punën e tij.
Mandati i anëtarëve të Këshillit drejtues zgjat 4 vjet.
Neni 31
Këshilli drejtues:
- Aprovon akte dhe shkresa të tjera (rekomandime, konkluza etj).
- Zbaton politikën e zhvillimit të SHGJHK-së dhe ndjek punën e anëtarësisë së SHGJHK-së,
- Emëron sekretarin dhe arkëtarin e SHGJHK-së,
- Ndjek realizimin e planit dhe të programit të punës, duke u kujdesur për realizim sa më të suksesshëm të tyre,
- I propozon Kuvendit ndryshimet dhe plotësimet në plan dhe program të punës, si dhe ndryshimet dhe plotësimet e dispozitave të Statutit dhe të
   akteve të tjera të SHGJHK-së,
- Aprovon listat e gjyqtarëve dhe të kontrolluesve sipas kualitetit të referimit dhe kontrollimit për të gjitha kategoritë dhe i përcjellë Bordit të FHK-
   së për ratifikim,
- Udhëheq me pasurinë e SHGJHK-së dhe vendos mbi afarizmin e saj,
- Harmonizon dhe zbaton planin financiar,
- Emëron anëtarët e Komisionit profesional, Komisionit disiplinor, si dhe komisioneve të tjera të formuara sipas nevojës,
- Propozon, emëron dhe shkarkon përfaqësuesit e SHGJHK-së në organet ndërkombëtare, në organe të Federatës së Hendbollit të Kosovë, si dhe në
  organet e tjera sipas nevojës,
- Kryen edhe punë dhe detyra të tjera, të cilat ia beson Kuvendi apo të cilat kanë të bëjnë me veprimtarinë e punës së Këshillit drejtues,
- Merr vendime me të cilat rregullohet mënyra e kompensimeve, shpërblimeve dhe pagesave të tjera sipas nevojës.
Neni 32 
Këshilli drejtues vendos në seanca për të gjitha çështjet nga fushë veprimtaria e tij me shumicë votash të numrit të përgjithshëm të anëtarëve.
Mbledhjen e Këshillit drejtues e konvokon dhe e udhëheq kryetari.
Kryetari konvokon mbledhjen e Këshillit në bazë të vlerësimit të vet, me kërkesë të shkruar të Këshillit mbikëqyrës, shumicës së tubimeve komunale të gjyqtarëve dhe kontrolluesve . 8

Punët e Këshillit drejtues i kryen sekretari i SHGJHK-së, duke u bazuar në aktet normative të saj.
Me Rregulloren e punës së Këshillit drejtues më detajizuar rregullohet mënyra e punës, të drejtat dhe detyrat e Këshillit drejtues. 
Neni 33 
Për punën e vet Këshilli i përgjigjet Kuvendit.
Kuvendi ka të drejtë të revokojë anëtarin e Këshillit drejtues para kalimit të mandatit në veçanti, por edhe tërë Këshillin drejtues në përgjithësi, për shkak të moskryerjes apo mosrealizimit të vendimeve të Kuvendit të parapara me dispozita statutare.
Kryetari mund ta revokojë anëtarin e Këshillit drejtues para kalimit të mandatit për të cilin është zgjedhur nëse nuk i kryen detyrat në harmoni me këtë statut dhe aktet e tjera të SHGJHK-së.
Për këtë duhet ta njoftojë me shkrim Kuvendin.
Procedurën për revokim e inicion kryetari apo tubimet komunale anëtare të SHGJHK-së.
Kryetari në emër të Këshillit drejtues i paraqet Kuvendit raportin vjetor të punës.
Neni 34
Anëtari i Këshillit drejtues ka këto të drejta dhe obligime:
- Të marrë pjesë në mbledhje të Këshillit, të debatojë dhe të votojë,
- Të parashtrojë propozime dhe çështje lidhur me përmbajtjen e rendit të ditës,
- Të pranojë emërimet sipas vendimeve të Këshillit drejtues,
- Ta ruajë fshehtësinë e veprimtarisë,
- Të kryejë të gjitha punët dhe detyrat që ia beson Këshilli drejtues.
Mënyra e pjesëmarrjes në punën e Këshillit drejtues caktohet me Rregulloren mbi punën e Këshillit drejtues.
 
KËSHILLI MBIKËQYRËS
Neni 35 
Këshilli mbikëqyrës mbikëqyr punën e organeve të SHGJHK-së të përcaktuara me këtë Statut.
Mbi gjendjen e konstatuar dhe mendimin lidhur me masat e njofton kryetarin, organet e SHGJHK-së dhe Kuvendin dhe propozon masat për përmirësimin e gjendjes në suaza të dispozitave të Statutit dhe akteve të tjera të SHGJHK-së, në veçanti ndjek realizimin e planit financiar, duke propozuar masa gjegjëse, të cilat janë obliguese.
Neni 36
Këshillin mbikëqyrës e përbëjnë tre anëtarë, kryetari dhe dy anëtarë të cilët zgjedhën ne mbledhjen e Kuvendit.
Anëtarët e Këshillit mbikëqyrës i zgjedh Kuvendi nga radhët e delegatëve të SHGJHK-së , të cilët janë punëtorë të dalluar sportive dhe gëzojnë autoritet në SHGJHK-ë.
Kryetari i Këshillit mbikëqyrës ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhje të Këshillit drejtues pa të drejtë vote.
Këshilli mbikëqyrës vendimet e veta i merr me shumicë votash.
Mandati i anëtarëve të Këshillit mbikëqyrës është 4 vjet dhe nuk është i kufizuar.
Mandati i Këshillit mbikëqyrës fillon menjëherë pas mbledhjes së Kuvendit zgjedhor.
Neni 37
Këshilli mbikëqyrës për punën e vet i përgjigjet Kuvendit dhe atij i raporton më së paku një herë në vit.
Këshilli mbikëqyrës është i obliguar që dy herë në vit ta kontrollojë veprimtarinë financiare dhe për këtë t’i raportojë Këshillit drejtues.
Mbledhjet e Këshillit mbikëqyrës i konvokon kryetari në:
- Bazë të vlerësimit vetjak,
- Kërkesës së kryetarit të Shoqatës,
- Kërkesës së më tepër se gjysmës së tubimeve komunale anëtare të SHGJHK-së,
- Kërkesës së më tepër se gjysmës së anëtarëve të Këshillit drejtues dhe
- Kërkesës së 2/3 të anëtarëve, delegatëve të Kuvendit.
 
SEKRETARI I SHGJHK-së
Neni 38 
Sekretarin e SHGJHK-së e emëron Këshilli drejtues me mandat prej 4 vjetësh, dhe mandati i tij nuk është i kufizuar.
Këshilli drejtues e emëron sekretarin me propozim të kryetarit dhe mund ta revokojë për shkak të mos azhuritetit dhe moskryerjes me sukses të punëve të parapara me akte normative.
Sekretari i kryen të gjitha punët administrativo-teknike dhe arkivore për SHGJHK-së.
Neni 39
Sekretari kujdeset për :
- Zbatimin e vendimeve dhe konkluzave të miratuara në organet gjegjëse të SHGJHK-së,
- Bën përgatitjet teknike dhe administrative të mbledhjeve të Kuvendit, Këshillit drejtues dhe organeve të tjera të SHGJHK-së.
- Informon opinionin, mjetet e informimit etj. për punën e organeve të SHGJHK-së
- Jep urdhëresa për punët materialo-financiare, si dhe
- Kryen punë të tjera nga fushëveprimtaria e vet.
 
PASURIA DHE AFARIZMI MATERIALO-FINANCIAR
Neni 40
Pasurinë e SHGJHK-së e përbëjnë:
- Mjetet financiare në xhirollogari dhe arkë
- Pasuria e tundshme dhe
- Të drejtat dhe obligimet.
Neni 41
SHGJHK-ja e fiton të drejtën në pasuri të tundshme dhe të patundshme:
- Me pagesën e anëtarësisë,
- Me kontribut vullnetar,
- Me përqindje nga taksa e referimit, kontrollimit dhe burimeve të tjera.
Neni 42
Këshilli drejtues mbikëqyr pasurinë e tundshme dhe të patundshme dhe atë e mbikëqyr në tërësi.
Neni 43
SHGJHK-së afarizmin materialo-financiar e realizon konformë dispozitave të ligjeve dhe rregulloreve tjera përkatëse të kësaj lëmi të cilat aplikohen në Kosovë.
Urdhërdhënës për realizimin e këtij afarizmi është kryetari i SHGJHK-së në bashkëpunim me
sekretarin.
Pasuria e patundshme nuk mund të tjetërsohet pa vendimin e Kuvendit.
Këshilli mbikëqyrës i paraqet raport mbi afarizmin materialo-financiar Kuvendit.
 
 
NDËRPRERJA E PUNËS SË SHOQATËS
Neni 44
Ndërprerja e punës së SHGJHK-së bëhet në rastet e parapara me aktet normative të FHK-së.
SHGJHK-ja e ndërprenë punën edhe:
- Kur për këtë vendos Kuvendi me 2/3 e votave të delegatëve,
- Me vendimin e plotfuqishëm të organit gjegjës.
Neni 45
Me ndërprerjen e punës së SHGJHK-së nga neni paraprak, pasuria e SHGJHK-së bëhet pronë e FHK.
 
DISPOZITAT KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 46
Dispozitat e këtij statuti i interpreton Kuvendi, ndërsa në mes të dy mbledhjeve të Kuvendit, Këshilli drejtues.
Ndryshimet dhe plotësimet e këtij statuti bëhen në mënyrën e paraparë për nxjerrjen e tij.
Neni 47 
Aktet e tjera normative të SHGJHK-së duhet të harmonizohen me këtë statut më së voni dy muaj prej datës së miratimit të Statutit.
Neni 48
Këtë Statut e ka aprovuar Kuvendi i SHGJHK-së më 27.01.2007 me 2/3 e votave të delegatëve të Kuvendit dhe hynë në fuqi nga kjo datë, ndërsa pushon të vlejë Statuti i SHGJHK-së i miratuar më 15.08.2002.
 
                                                                                                         Kryetari SHGJHK-së
Prishtinë,                                                                                             Istref Sadriu d.v.
27.01.2007.