• Shqip
  • English
  • German
  • French
Statuti i SHTHK-së
Statuti i SHTHK-së

Statuti i SHTHK-së

 

Në bazë të nenit  3.1, 3.4.1 dhe 3.4.3 dhe 3.5 . të Statutit të Federatës së Hendbollit të Kosovës, Kuvendi i Shoqatës së Trajnerëve të Hendbollit të Kosovës, në seancën e vet të mbajtur me datën  4.10.2008 miratoi këtë:

 

S T A T U T

 

DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

 

Neni 1

 

Me këtë statut rregullohet emërtimi, selia dhe shtrirja territoriale e veprimtarisë së Shoqatës, mënyra dhe veprimtaria me të cilën realizohen qëllimet, mënyra e punës publike, anëtarët dhe anëtarësia, të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë disiplinore të anëtarëve, mënyra e organizimit të brendshëm dhe organet  e Shoqatës, përbërja dhe kompetencat, mënyra e vendosjes, kushtet dhe mënyra e zgjedhjes dhe revokimit, kohëzgjatja e mandatit të anëtarëve të organeve të Shoqatës, përgjegjësia e tyre, shfrytëzimi dhe disponimi i mjeteve, mënyra e fitimit dhe tjetërsimit, shfrytëzimi dhe disponimi me këto mjete, si dhe shfrytëzimi dhe disponimi me mjete në rast të shuarjes së shoqatës.

 

Neni 2

 

Emërtimi i shoqatës është: SHOQATA E TRAJNERËVE TË HENDBOLLIT E KOSOVËS

 

Emërtimi i shkurtër është: SHOQATA – (në tekstin e mëtejmë Shoqata).

Selia e Shoqatës është në Prishtinë rr.Agim Ramadani,   Shtëpia e Sporteve Kati II nr. 15. Llogaria rrjedhese: NLB Prishtina, numri i kontos:  në Prishtinë.

 

Neni 3

 

Shoqata e ka vulën dhe shenjën e vet.

Vula është e formës së rrumbullakët me gjatësi 25mm dhe gjerësi 25 mm, me mbishkrimin Shoqata e Trajnerëve të Hendbollit e Kosovës.

Shenja e Shoqatës është flamuri i FHK-së me hartën e Kosovës dhe shkronjë T  në mes.

 

Neni 4

 

Shoqatën e përfaqëson kryetari.

Në mungesë të tij kryetari e cakton personin nga përbërja e Këshillit drejtues që do ta zëvendësojë.

Kuvendi i Shoqatës  mund t’i autorizojë edhe personat e tjerë për përfaqësim të saj.

Kryetari  përveç që e përfaqëson Shoqatën, kujdeset dhe përgjigjet për punën e saj në kuptim të dispozitave ekzistuese të sportit të hendbollit, zbaton vendimet dhe konkluzat e kuvendit, si dhe aktet e tjera në përputhje me dispozitat e këtij statuti.

 

 

 

 

QËLLIMI DHE VEPRIMTARIA

 

Neni 5

 

Shoqata është e themeluar si organizatë vullnetare me qëllim të përparimit, zhvillimit dhe avancimit të trajnerëve, si dhe mbikëqyrjen e përparimit dhe zhvillimit nëpërmes punës profesionale në klube, Përfaqësuese etj.

Shoqata është anëtare e FHK me të cilën me dispozita të posaçme rregullohen marrëdhëniet me interes të përbashkët për sportin e hendbollit.

Shoqata me qëllim të realizimit të qëllimeve për të cilat është themeluar, në mënyrë të pavarur vendos mbi çështjet organizative, financiare, profesionale dhe çështjet e tjera, është anëtare e shoqatave sportive në kuadër të Ministrisë së  Sportit kosovar dhe në mënyrë të pavarur vendos për anëtarësim në shoqatat e tjera në mënyrën e përcaktuar me këtë statut dhe me aktet e tjera.

 

Neni 6

 

Veprimtaria e Shoqatës:

– përcakton politikën e veprimtarisë së vet, aprovon planet dhe programet e punës me qëllim të zhvillimit të lëmit të Shoqatës me aktivitet të ndërsjelltë të

anëtarësisë,

– përvetësimi i metodave të lojës me qëllim të përparimit dhe avancimit të saj,

– organizimi i seminareve dhe trajnimeve të ndryshme profesionale me qëllim të përparimit dhe aftësimit profesional të anëtarëve, me qëllim të ngritjes së

cilësisë dhe nivelit të anëtarëve të saj.

– përgatitja dhe organizimi i kurseve – trajnimeve për trajner fillestar në bashkëpunim me Akademinë Olimpike të Kosovës dhe Fakultetin e Kulturës Fizike me qëllim të avancimit të punës profesionale,

– harmonizimi i veprimtarive dhe kontakteve, si dhe mbajtja e bashkëpunimit në mes anëtarëve të Shoqatës në Kosovë dhe jashtë e posaçërisht me Komisionet ndërkombëtare IHF dhe EHF.

–  pjesëmarrja në hartimin e propozimit mbi sistemin dhe mënyrën e organizimit të garave në hendboll të rangjeve të ndryshme.

– kujdesi për aftësim sportiv, shëndet, mirëkuptim reciprok dhe aprovimi i vlerave morale në sport,

– dhe punë të tjera me interes për shoqatën.

 

Neni 7

 

Puna e Shoqatës është publike.

Publiciteti i punës së Shoqatës realizohet në mënyrën e përcaktuar me statut:

– me raportim të rregullt të anëtarëve lidhur me punën dhe veprimtarinë në seancat e kuvendit

– publikimin dhe dorëzimin e vendimeve të shkruara anëtarësisë,

– me pjesëmarrje të anëtarëve në takime dhe këshillime profesionale,

– raporte të shkruara, të cilat publikohen në buletinin zyrtar,

– bashkëpjesëmarrjen në organet e kuvendit, me njoftim të mjeteve të informimit.

 

 

 

ANËTARËSIMI NË SHOQATË

 

Neni 8

 

Anëtarë të  Shoqatës mund të bëhen të gjithë trajnerët e anëtarësuar në klubet e FHK-së, si dhe çdo person fizik që nuk iu ka marrë aftësia e punës, nënshtetas i Kosovës, me thirrjen trajner i hendbollit apo i cili e ka mbaruar Fakultetin e Kulturës Fizike apo shkollimin Masters.

Në parim çdo anëtar i Shoqatës vepron në kuadër të klubit, atje ku e ka  vendqëndrimin gjegjësisht klubin në të cilin punon.

 

Neni 9

 

Trajner i hendbollit bëhet çdo person me thirrje të trajnerit të fituar në bazë te këtij statuti dhe akteve të tjera të Shoqatës.

 

Neni 10

 

Çdo anëtar i Shoqatës duhet të ketë librezën e anëtarësisë.

Forma, përmbajtja dhe mënyra e dhënies së librezës rregullohet me vendim të posaçëm të Këshillit drejtues.

Shoqata e ka librin e evidencës, të cilin e udhëheq sekretari i Shoqatës.

 

Neni 11

 

Çdo anëtar i Shoqatës është i obliguar ta paguajë anëtarësinë vjetore. Për mënyrën dhe shumën e anëtarësisë vendos Këshilli drejtues i Shoqatës, me propozim të kryetarit.

 

TË DREJTAT, DETYRAT DHE PËRGJEGJËSIA DISIPLIORE E ANËTARËVE

 

Neni 12

 

Të drejtat dhe detyrat e anëtarëve të Shoqatës janë të përcaktuara me këtë statut:

–           Marrja pjesë në qeverisje dhe udhëheqje në seancat e kuvendit dhe në organet

e tjera,

–           Zgjedhja e anëtarëve të të gjitha organeve të Shoqatës,

–           Zgjedhja e disahershme radhazi në organet e Shoqatës dhe pjesëmarrja në

bazë të autorizimit në punën e Shoqatës dhe organeve të FHK,

–           Udhëheqja e ndeshjeve,

–           Pagesa e anëtarësisë dhe e licencës,

–           Aftësimi profesional, si dhe pjesëmarrja e obligueshme në seminare dhe

testime të parapara me planin e punës  dhe përmbushja e të gjitha vendimeve

dhe obligimeve të marra,

–           Mbrojtja  e autoritetit të anëtarëve .

–           Ruajtja e pasurisë së Shoqatës, si dhe kryerja e obigimeve që merren nga

Shoqata,

–           Realizimi i të drejtave dhe detyrave të tjera.

 

 

 

Neni 13

 

Anëtarësimi në Shoqatë pushon:

–           Me kërkesë personale,

–           Me mospagesë të anëtarësisë dhe licencës,

–           Me vendim mbi përjashtimin nga Shoqata për shkak të përgjegjësisë

disiplinore të parapara me akte  normative të Shoqatës,

–           Me vdekjen e anëtarit,

–           Me shlyerjen nga libri i evidencës së Shoqatës për shkak të shuarjes së

veprimtarisë së Shoqatës,

–           Me ndërprerjen e veprimarisë së anëtarit në kuadër të Shoqatës,

–           Me vendim të kuvendit të Shoqatës.

 

Neni 14

 

Çdo anëtar i Shoqatës, të cilit i ka pushuar cilësia e anëtarësisë çregjistrohet nga libri i evidencës dhe i humb të gjitha të drejtat dhe obligimet që dalin nga statuti dhe aktet e tjera të Shoqatës.

Anëtari të cilit i ka pushuar cilësia e anëtarësisë në Shoqatë është i obliguar që t’i kryejë të gjitha obligimet ndaj Shoqatës,

 

Neni 15

 

Anëtarit të Shoqatës, të cilit i ka pushuar e drejta në anëtarësi, e paraparë me nenin 13 alineja 2, 3,  dhe 5 vendos Komisioni disiplinor i Shoqatës.

Në vendimin e Komisionit disiplinor pala e pakënaqur ka të drejtë ankese kuvendit të Shoqatës në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së vendimit.

Vendimi i kuvendit është i prerë.

 

Neni 16

 

Shoqata mund t’i bashkohet ndonjë shoqate simotër dhe mund të ketë bashkëpunim të ndërsjelltë me to.

Për bashkim dhe bashkëpunim me shoqatat e tjera vendos Kuvendi i Shoqatës.

 

Neni 17

 

Anëtarët e Shoqatës kanë përveç detyrave dhe të drejtave, edhe përgjegjësi ndaj Shoqatës. Përgjegjësinë ndaj Shoqatës e vlerëson Komisioni disiplior i përbërë

prej tre anëtarëve, të cilët i zgjedh Këshilli drejtues i Shoqatës.

 

Neni 18

 

Kërkesën për hapjen e procedurës disiplinore mund ta paraqesë çdo anëtar i Shoqatës nëpërmes fletëparaqitjes me shkrim, të drejtuar Komisionit disiplinor, i cili e ka obligim që ta udhëheqë procedurën në bazë të dispozitave të këtij statuti dhe të rregullores disiplinore të Shoqatës.

Mandati i Komisionit disiplinor zgjat dy vjet. Kundër vendimit të Komisionit disiplinor pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së vendimit, Këshillit drejtues.

Puna dhe veprimaria e këtij komisioni detalizohet më mirë në rregulloren disiplinore të Shoqatës.

 

UDHËHEQJA DHE ORGANET E SHOQATËS

 

Neni 19

 

Organet e Shoqatës janë:

 

– Kuvendi,

– Kryetari

– Këshilli drejtues dhe

– Këshilli mbikëqyrës

 

KUVENDI

 

Neni 20

 

Kuvendi është organi më i lartë i udhëheqjes në Shoqatë, i cili vendos në seanca për çështje nga fushëveprimtaria e vet.

Kuvendi është i rregullt, zgjedhor dhe i jashtëzakonshëm.

Kuvendin e përbëjnë nga tre delegatë të autorizuar nga klubet e Superligës së meshkujve, dy delegatë të Superligës së femrave dhe nga një delegatë i Ligës së parë të meshkujve dhe femrave.

Nëse ndonjë klub i Ligës së parë të meshkujve ka të inkuadruar në gara edhe skuadrën e juniorëve apo kadetëve automatikisht ka të drejtë edhe në një delegatë.

Të gjithë delegatët duhet të jenë të anëtarësuar në Shoqatë dhe licencuar për klubet përkatëse në mënyrë që të mund të marrin pjesë në Kuvend.

Mandati i delegatëve të Kuvendit zgjat 4 vjet dhe nuk është i kufizuar.

Delegati i Kuvendit mund të revokohet nëse nuk i plotëson kriteret e parapara për anëtarësi m dhe licencim në klube, apo e humb bazën nga klubi.

Delegati revokohet në mënyrën dhe procedurën e paraparë për zgjedhjen e tij.

Mandati i delegatit të rizgjedhur zgjat deri në zgjedhjet e ardhshme të rregullta.

Për revokimin e delegatit vendos Kuvendi.

 

Neni 21

 

Mbledhja e rregullt e Kuvendit mbahet një herë në vit, ndërsa Kuvendi zgjedhor çdo katër vjet.

Mbledhjen  e Kuvendit e konvokon kryetari.

Mbledhjen  e Kuvendit kryetari mund ta konvokojë sipas nevojës.

 

Neni 22

 

Mbledhjen e Kuvendit e konvokon kryetari më së paku 10 ditë para datës së caktuar me thirrje të veçantë.

Në thirrje për konvokimin  e mbledhjes së Kuvendit është e obligueshme të përcaktohet rendi i ditës, data, koha, si dhe vendi i mbajtjes së Kuvendit.

Mbledhjen e rregullt të Kuvendit e udhëheq kryetari, në qoftë se Kuvendi nuk vendos ndryshe.

Neni 23

 

Mbledhjen zgjedhore dhe të jashtëzakonshme të Kuvendit e udhëheq kryetari deri në zgjedhjen e Kryesisë së punës, e cila i ka tre anëtarë: kryesuesin dhe dy anëtarë të Kryesisë së punës.

Neni 24

 

Mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit e konvokon kryetari, në bazë të kërkesës me shkrim të:

–           Këshillit drejtues,

–           Këshillit mbikëqyrës

–           Të dy të tretave të numrit të delegatëve në Kuvend.

Nëse kryetari nuk e konvokon mbledhjen e  jashtëzakonshme të Kuvendit në afat prej 10 ditësh nga dita e kërkesës së parashtruar, mbledhjen do ta konvokojë sekretari i Shoqatës dhe do të veprojë në kuptim të dispozitave të këtij statuti.

Në mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit mund të vendoset vetëm për atë për çka është konvokuar.

 

Neni 25

 

Kuvendi vendos në mënyrë të plotëfuqishme nëse në të marrin pjesë më tepër se gjysma e delegatëve të autorizuar, dhe vendimet janë të plotëfuqishme nëse votojnë më shumë se gjysma e delegatëve të pranishëm, përveç nëse është fjala për:

– zgjedhjen dhe revokimin e kryetarit të Shoqatës,

– zgjedhjen dhe revokimin e anëtarëve të Këshillit drejtues dhe

– ndërrimet dhe plotësimet e dispozitave të Statutit, për të cilat vendoset me 2/3 e numrit të përgjithshëm të delegatëve në Kuvend.

Për punën e Kuvendit mbahet procesverbali, i cili ruhet në administratë të FHK-së, nën mbikëqyrje të sekretarit të Shoqatës.

 

Neni 26

 

Thirrja për mbledhje të Kuvendit me rendin e përcaktuar të ditës, si dhe materiali i përgatitur me shkrim u dërgohet më së voni 10 ditë para mbajtjes së mbledhjes:

–           Delegatëve të Kuvendit,

–           Klubeve të hendbollit,

–           Federatës së Hendbollit të Kosovës.

 

 

Neni 27

 

Kuvendi:

– Aprovon Statutin dhe aktet e tjera të Shoqatës,

– Përcakton politikën, planin dhe programin e punës me qëllim të avancimit të lëmit,

– Aprovon planin financiar dhe llogarinë përfundimtare,

– Bën ndarjen e mirënjohjeve, lavdatave dhe shpërblimeve,

– Zgjedh dhe revokon kryetarin,

– Zgjedh dhe revokon anëtarët e Këshillit drejtues dhe Këshillit mbikëqyrës,

– Vendos për lutje dhe ankesa,

– Shqyrton raportin e punës së organeve të Shoqatës,

– Përcakton kahjet e punës së organeve dhe anëtarësisë së Shoqatës,

– Themelon organe të përhershme dhe të përkohshme me vendim të posaçëm, duke iu përcaktuar fushëveprimin, detyrat dhe afatet e kryerjes së punëve konkrete,

– Vendos mbi pushimin e punës së Shoqatës,

– Kryen edhe punë të tjera të përcaktuara me Statut dhe me akte të tjera të Shoqatës.

Me rregulloren mbi punën e Kuvendit rregullohet mënyra e veprimtarisë, të drejtat dhe detyrat e delegatëve të Kuvendit, si dhe çështjet e tjera të rëndësishme për

veprimtari dhe punë të Kuvendit.

 

KRYETARI

 

Neni 28

 

Kryetari i Shoqatës zgjidhet me propozim të më së paku 10 delegatëve të Kuvendit me votim publik.

Mandati i kryetarit zgjat 4 vjet dhe nuk është i kufizuar.

Kryetari:

–           Përfaqëson Shoqatën,

–           Kryen dhe harmonizon punët ekzekutive, si dhe punë të tjera të parapara me

këtë statut,

–           Propozon anëtarët e Këshillit drejtues dhe udhëheq me punën e Këshillit,

nënshkruan vendime dhe akte të tjera të Këshillit drejtues, si dhe

–           Përcakton autorizimet në kuadër të veprimtarisë së Shoqatës,

–           Për punën e vet i përgjigjet Kuvendit dhe mund të revokohet për shkak të

mos përmbushjes së detyrave të parapara me Statut, vendime të Kuvendit, si

dhe organeve të tjera të Shoqatës,

–           Revokimi i kryetarit bëhet në të njëjtën mënyrë sikurse edhe është zgjedhur,

–           Për punën e vet i paraqet raport Kuvendit.

 

KËSHILLI DREJTUES

 

Neni 29

 

Këshilli drejtues përbëhet prej shtatë (7) anëtarëve, të cilët i zgjedh Kuvendi, duke pasur parasysh përkatësinë  rajonale të delegatëve.

Në Këshillin drejtues duhet patjeter të jenë anëtarë edhe nga një anëtarë sipas pëkatësisë gjinore (një delegatë) dhe një (1) delegatë nga radhët e pakicave sipas Ligjit për Sport dhe Akteve nënligjore të DSK-së..

Në Këshillin drejtues emërohen personat, të cilët me punën e tyre profesionale në Shoqatë janë dalluar, gëzojnë autoritet, si dhe me aktivitetin e tyre në dhe rreth Shoqatës janë dalluar.

Kryetari është anëtar i Këshillit drejtues dhe udhëheq me punën e tij.

Mandati i anëtarëve të Këshillit drejtues zgjat 4 vjet.

 

 

 

Neni 30

 

Këshilli drejtues:

–  Aprovon akte dhe shkresa të tjera (rekomandime, konkluza etj).

–  Zbaton politikën e zhvillimit të Shoqatës dhe ndjek punën e anëtarësisë së Shoqatës,

–  Emëron sekretarin dhe arkëtarin e Shoqatës,

–  Ndjek realizimin e planit dhe të programit të punës,  duke u kujdesur për realizim sa

më të suksesshëm të tyre,

–  I propozon Kuvendit ndryshimet dhe plorësimet në plan dhe program të punës, si

dhe ndryshimet dhe plotësimet e dispozitave të Statutit dhe të akteve të tjera të

Shoqatës,

–  Aprovon listat e trajnerëve për shkollim apo trajnime ndërkombëtare për të gjitha

kategoritë dhe i përcjellë Bordit të FHK-së për ratifikim,

–  Udhëheq me pasurinë e Shoqatës dhe vendos mbi afarizmin e saj,

–  Harmonizon dhe zbaton planin financiar,

–  Emëron anëtarët e Komisionit profesional, Komisionit disiplinor, si dhe

komisioneve të tjera të formuara sipas nevojës,

–  Propozon përfaqësuesit e Shoqatës në organet ndërkombëtare, në organe të

Federatës së Hendbollit të Kosovë, si dhe në organet e tjera sipas nevojës,

–  Kryen edhe punë dhe detyra të tjera, të cilat ia beson Kuvendi apo të cilat kanë të

bëjnë me veprimtarinë e punës së Këshillit drejtues,

–  Merr  vendime me të cilat rregullohet mënyra e kompensimeve, shpërblimeve dhe

pagesave të tjera sipas nevojës.

 

Neni 31

 

Këshilli drejtues vendos në seanca  për të gjitha çështjet nga fushëveprimtaria e tij me shumicë votash të numrit të përgjithshëm të anëtarëve.

Mbledhjen e Këshillit drejtues e konvokon dhe e udhëheq kryetari.

Kryetari konvokon mbledhjen e Këshillit në bazë të vlerësimit të vet, me kërkesë të shkruar të Këshillit mbikëqyrës apo 2/3 e anëtarësisë.

Punët e Këshillit drejtues i kryen sekretari i Shoqatës, duke u bazuar në aktet normative të saj.

Me Rregulloren e punës së Këshillit drejtues më detajisht rregullohet mënyra e punës, të drejtat dhe detyrat e Këshillit drejtues.

 

Neni 32

 

Për punën e vet Këshilli i përgjigjet Kuvendit.

Kuvendi ka të drejtë të revokojë anëtarin e Këshillit drejtues para kalimit të mandatit në veçanti, por edhe tërë Këshillin drejtues në përgjithësi, për shkak të moskryerjes apo mosrealizimit të vendimeve të Kuvendit të parapara me dispozita statutare.

Kryetari mund ta revokojë anëtarin e Këshillit drejtues para kalimit të mandatit për të cilin është zgjedhur nëse nuk i kryen detyrat në harmoni me këtë statut dhe aktet e tjera të Shoqatës.

Për këtë duhet ta njoftojë me shkrim Kuvendin.

Procedurën për revokim e inicon kryetari apo tubimet komunale anëtare të Shoqatës.

Kryetari në emër të Këshillit drejtues i paraqet Kuvendit raportin vjetor të punës.

 

 

Neni 33

 

Anëtari i Këshillit drejtues ka këto të drejta dhe obligime:

– Të marrë pjesë në mbledhje të Këshillit, të debatojë dhe të votojë,

– Të parashtrojë propozime dhe çështje lidhur me përmbajtjen e rendit të ditës,

– Të pranojë emërimet sipas vendimeve të Këshillit drejtues,

– Ta ruajë fshehtësinë e veprimtarisë,

– Të kryejë të gjtha punët dhe detyrat që ia beson Këshilli drejtues.

Mënyra e pjësmarrjes në punën e Këshillit drejtues caktohet me Rregulloren mbi punën e Këshillit drejtues.

 

KËSHILLI MBIKËQYRËS

 

Neni 34

 

Këshilli mbikëqyrës mbikëqyr punën e organeve të Shoqatës të përcaktuara me këtë Statut.

Mbi gjendjen e konstatuar dhe mendimin lidhur me masat e njofton kryetarin, organet e Shoqatës dhe Kuvendin dhe propozon masat për përmirësimin e

gjendjes në suaza të dispozitave të Statutit dhe akteve të tjera të Shoqatës, në veçanti ndjek realizimin e planit financiar, duke propozuar masa gjegjëse, të cilat janë obligative.

Neni 35

 

Këshillin mbikëqyrës e përbëjnë tre anëtarë, kryetari dhe dy anëtarë të cilët zgjedhen ne mbledjne e Kuvendits.

Anëtarët e Këshillit mbikëqyrës i zgjedh Kuvendi nga radhët e SHTHK-së , të cilët janë punëtorë të dalluar sportive dhe gëzojnë autoritet në Shoqatë.

Kryetari i Këshillit mbikëqyrës ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhje të Këshillit drejtues pa të drejtë vote.

Këshilli mbikëqyrës vendimet e veta i merr me shumicë votash.

Mandati i anëtarëve të Këshillit mbikëqyrës është 4 vjet dhe nuk është i kufizuar.

Mandati i Këshillit mbikëqyrës fillon menjëherë pas mbledhjes së Kuvendit zgjedhor.

 

Neni 36

 

Këshilli mbikëqyrës për punën e vet i përgjigjet Kuvendit dhe atij i raporton më së paku një herë në vit.

Këshilli mbikëqyrës është i obliguar që dy herë në vit ta kontrollojë veprimtarinë financiare dhe për këtë t’i raportojë Këshillit drejtues.

Mbledhjet e Këshillit mbikëqyrës i konvokon kryetari në:

–           Bazë të vlerësimit vetjak,

–           Kërkesës së kryetarit të Shoqatës,

–           Kërkesës së më tepër se gjysmës së tubimeve komunale anëtare të Shoqatës,

–           Kërkesës së më tepër se gjysmës së anëtarëve të Këshillit drejtues dhe

–           Kërkesës së 2/3 të anëtarëve, delegatëve të Kuvendit.

SEKRETARI I SHOQATËS

 

Neni 37

 

Sekretarin e Shoqatës e emëron Këshilli drejtues me  mandat prej 4 vjetësh, dhe mandati i tij nuk është i kufizuar.

Këshilli drejtues e emëron sekretarin me propozim të kryetarit dhe mund ta revokojë për shkak të mosazhuritetit dhe moskryerjes me sukses të punëve të parapara me akte normative.

Sekretari i kryen të gjitha punët administrativo-teknike dhe arkivore për Shoqatën.

 

Neni 38

 

Sekretari kujdeset për :

– Zbatimin e vendimeve dhe konkluzave të miratuara në organet gjëgjëse të Shoqatës,

– Bën përgatitjet teknike dhe administrative të mbledhjeve të Kuvendit, Këshillit

drejtues dhe organeve të tjera të Shoqatës.

– Informon opinionin, mjetet e informimit etj. për punën e organeve të Shoqatës,

– Jep urdhëresa për punët materialo-financiare, si dhe

– Kryen punë të tjera nga fushëveprimtaria e vet.

 

 

PASURIA DHE AFARIZMI MATERIALO-FINANCIAR

 

Neni 39

 

Pasurinë e Shoqatës e përbëjnë:

– Mjetet financiare në xhirollogari dhe arkë

– Pasuria e tundshme dhe

– Të drejtat dhe obligimet.

 

Neni 40

 

Shoqata e fiton të drejtën në pasuri të tundshme dhe të patundshme:

– Me pagesën e  anëtarësisë,

– Me pagesën e  licencimit,

– Me kontribut vullnetar,

 

Neni 41

 

Këshilli drejtues mbikëqyr pasurinë e tundshme dhe të patundshme dhe atë e mbikëqyr në tërësi.

 

Neni 42

 

Shoqata afarizmin materialo-financiar e realizon në bazë të Ligjit mbi afarizmin materialo-financiar dhe urdhërdhënës për realizimin e këtij afarizmi është

sekretari.

Pasuria e patundshme nuk mund të tjetërsohet pa vendimin e Kuvendit.

Këshilli mbikëqyrës i paraqet raport mbi afarizmin materialo-financiar Kuvendit.

NDËRPRERJA E PUNËS SË SHOQATËS

 

Neni 43

 

Ndërprerja e punës së Shoqatës bëhet në rastet e parapara me Ligj.

Shoqata e ndërpren punën:

– Kur për këtë vendos Kuvendi me 2/3 e votave të delegatëve,

– Me vendimin e plotëfuqishëm të organit gjegjës.

 

Neni 44

 

Me ndërprerjen e punës së Shoqatës nga neni paraprak, pasuria e Shoqatës bëhet pronë e FHK.

 

 

DISPOZITAT KALIMTARE DHE TË FUNDIT

 

Neni 45

 

Dispozitat e këtij statuti i interpreton Kuvendi, ndërsa në mes të dy mbledhjeve të Kuvendit, Këshilli drejtues.

Ndryshimet dhe plotësimet e këtij statuti bëhen në mënyrën e paraparë për nxjerrjen e tij.

 

Neni 46

 

Aktet e tjera normative të Shoqatës duhet të harmonizohen me këtë statut më së voni dy muaj prej datës së miratimit të Statutit.

 

Neni 47

 

Këtë Statut e ka aprovuar Kuvendi i Shoqatës më 4.10.2008  me 2/3 e votave të delegatëve të Kuvendit.

 

Prishtinë                                                                   Kryetari i Shoqatës

04.10.2008                                                                 Prof Ismet JUPA