Hendbollistet e Kombëtares së Kosovës të hënën e kanë luajtur ndeshjen e fundit në turneun ndërkombëtar të mbajtur në Antalya të Turqisë. Në ndeshjen e fundit Kombëtarja jonë humbi nga Maqedonia Veriore me rezultat 30:27.

Humbja erdhi si pasojë e lodhjes dhe lëshimit të koncentrimit. Vajzat tona kanë luajtur katër ndeshje të forta brenda tri ditëve. Mbi dhjetë herë lojtaret tona kanë goditur shtyllën. Ndonëse angazhimi i lojtareve tona ishte maksimal, kjo ndoshta ishte ndeshja jonë më e zbehtë në turneun e zhvilluar në Antalya.

Kosova ka fituar ndaj Italisë dhe Turqisë B, kurse pësoi nga Turqia A dhe Maqedonia Veriore.

Kundër Maqedonisë Veriore prap me efikasistet shumë të lartë është shquar kapitenja Leonora Demaj që ka shënuar 12 gola. Edhe lojtaret tjera kanë dhënë më të mirën e tyre.

Shtabi teknik i Kombëtares sonë e ka vlerësuar shumë të suksesshëm turneun në Turqi. Qëllimi që ishte vënë për këtë pjesëmarrje është realizuar në tërësi, ndonëse për nga cilësia e shfaqur, Kombëtarja jonë është dashur të ketë të paktën tri fitore.

Gjatë qëndrimit në Antalya janë provuar lojtare të reja, ndërsa motrat Marigona Hajdari e Arlinda Hajdari janë dëshmuar si përforcim shumë i madh për Kombëtaren tonë. Në nivel të lartë është paraqitur edhe Mirjeta Bytyqi, kurse vlera kanë shfaqur edhe lojtaret tjera. Ndeshjet në Turqi i shërbejnë Kombëtares sonë edhe për komponim të mëtejmë, ndërsa me rritjen e konkurencës është rritur edhe optimizmi për ndeshjet e marsit që i luajmë me Bjellorusinë.

Mos të harrojmë që Kosova në Antalya është paraqitur pa thuajse gjysmën e ekipit. Për shkak të angazhimeve personale kanë munguar Albana Arifi, Dorentina Osmani, Elma Kameri, Ardiana Merditaj, Fitore Aliu, Aurora Shehdadi, Meltem Ylberi e disa lojtare të tjera.

Maqedonia Veriore – Kosova 30:27 (17:13)

Maqedonia Veriore: Cakidova 4, Brizovska, Tasevska, Markovic, Gjorgievska 8, Serafimova, Sedlovska, Nikolov, Jankurovska 6, Stojanovska 6, Micevska, Kiprnanovska, Kaladjievska, Djatevska, Livrinka 2, Sazdovska 4.

Kosova: Ahmetxhekaj, Istrefi, Mehmeti 4, Kursani, A. Hajdari 3, Kelmendi, Rugova 2, Uka, Stagova, Gjikokaj 2, Demaj 12, Lekaj, Kastrati, Bytyqi 3, M. Hajdari 1, Ujkiq.

Lajme tjera