Portierja e Istogut dhe e Kombëtares së Kosovës, Blerta Ahmetxhekaj, e vlerëson faktin që hendbollit kosovar i është shtuar edhe një garë. Ajo beson fuqishëm që trofeu i Superkupës do të zë vend në koleksionin e Istogut.
Istogu luan me Ferizajn për Superkupën e Kosovës. Ndeshja do të luhet të enjten prej orës 18:00 në palestrën e qytetit në Istog.
Istogu vjet fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës. Tani e synon trofeun e parë për edicionin 2022/2023.
“Superkupa e Kosovës është trofe i ri të cilin synojmë që nesër ta shtojmë në koleksionin e Istogut. Kemi zhvilluar fazë të mirë përgatitore. Po koordinohemi shumë mirë dhe kemi ekip bashkëpunues. Jam e lumtur që Superkupa mbahet në shtëpinë tonë, në palestrën e Istogut. Shikuesve ju premtojmë se do të shohin një ndeshje të mirë hendbolli dhe se do të japim më të mirën. Prandaj nesër i mirëpresim të gjithë në Istog. Shpresoj që do të ketë shumë shikues”, ka thënë Blerta Ahmetxhekaj.