Besa e fiton bindshëm finalen e parë

Besa FamGas ka bërë hapin e parë drejt mbrojtjes së titullit të kampionit të Kosovës në hendboll. Në ndeshjen e parë finale të plejofit, Besa FamGas të enjten mbrëma fitoi bindshëm ndaj Prishtinës me rezutat 37:23. Ndeshja u luajt në palestrën “Karagaçi” në Pejë para disa qindra shikuesve.

Ekipi vendas ka dominuar prej fillimit të ndeshjes dhe ka shkuar duke e rritur epërsinë deri në fund. Pas pjesës së parë rezultati ishte 18:11 në të mirë të Besës.

Të gjithë lojtarët e ekipit pejan dhanë kontribut në fitoren e lartë. Plot 12 lojtarë shënuan gola, ndërsa më efikasët ishin Kastriot Jupa e Drilon Tahirukaj me nga shtatë gola. Te Prishtina më së shumti realizoi Deniz Terziqi, 12 gola.

Ndeshja e dytë e finales së plejofit luhet në fundjavë në Prishtinë. Besës i duhet edhe një fitore apo edhe një barazim për të siguruar titullin. Ndërkohë nëse rezultati barazohet në 1:1 atëherë ndeshja e tretë do të luhet në Pejë.

Besa e ka përparësinë e terrenit vendas në ndeshjen e tretë eventuale, për shkak se në kampionat përfundoi më lart se Prishtina. Besa ishte e para kurse Prishtina e dyta. Në gjysmëfinale të plejofit Besa pas dy ndeshjeve e kaloi Dritën kurse Prishtina e eliminoi Kastriotin e Ferizajt.

Besa ka vite që po dominon në gara, ndërsa Prishtina këtë edicion e ka rivalizuar më së shumti. Dy skuadrat janë takuar katër herë gjatë kampionatit. Besa i ka tri fitore e Prishtina një. Ekipi pejan fitoi ndaj Prishtinës edhe në finale të Kupës.

Besa FamGas – Prishtina 37:23 (18:11)

Besa FamGas: Arbër Curri, Bajram Idrizi 1, Goran Biljaka 3, Veton Broqi, Egzon Gjuka 3, Kastriot Jupa 7, Yll Muqolli 1, Dijon Idrizi 1, Tarik Megjiq 4, Drenit Tahirukaj 1, Drilon Tahirukaj 7, Bujar Ramosaj, Ante Kukrika 4, Haris Berisha, Ardit Tafilaj 2, Jon Muqolli 3.

Prishtina: Mitko Stoilov, Ylli Visoka 4, Albi Gjuka 1, Safet Gashi, Ardian Murtezi, Lindrit Fetahu 1, Agon Bajqinovci 2, Krste Kosteski, Kushtrim Kastrati, Petrit Prekazi 3, Beni Syla, Deniz Terziqi 12, Melos Shahini, Kreshnik Krasniqi, Mërgim Ademi.

Lajme tjera