Besa Famgas, kampione për herë të dhjetë rresht

Besa Famgas ka vazhduar dominimin në Superligën e Kosovës në hendboll.
Besa e Pejës ka fituar titullin e kampionit për edicionin 2022/23.
Në finale të plejofit, Besa Famgas e mposhti Trepçën me rezultat 2:0.
Fitoren e dytë e shënoi të enjten mbrëma në “Minatori” me rezultatin 37:30.
Kupën e kampionit, kapitenit të Besës, Egzon Gjuka ia dorëzuan zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani dhe presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini.
Skuadra pejane ka dominuar tërë ndeshjen dhe shënoi fitore bindëse për titullin e dhjetë rresht.
Pas dhjetë minutave të fortë e të barabartë, skuadra pejane nisi shkëputjen në rezultat. Deri në fund të pjesës së parë krijoi epërsi prej shtatë golash. Rrjedhë të njëjtë ndeshja kishte edhe në pjesën e dytë dhe Besa krijoi epërsi të lartë që e mbajti deri në fund.
Arbios Mushkolaj i shënoi 8 gola për Besën. Shtatë i kishte Egzon Gjuka e gjashtë Nikola Prce.
Deniz Terziqi i shënoi tetë gola për Trepçën. Shtatë i kishte Shpëtim Mehmeti.
Ndeshja përfundimtare u zhvillua para rreth 1500 shikuesve dhe në një ambient të bukur sportiv.

Lajme tjera