Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Besa fiton ndeshjen interesante me Vushtrrinë, Kastrioti pa telashe ndaj Prishtinës

Portierja Selvije Mullakadrija ka shkëlqyer me pritje të shumta për ta udhëhequr Besën e Pejës drejt fitores së vështirë ndaj Vushtrrisë. Ndeshja e së dielës, që u zhvillua në Pejë, i takoi xhiros së pestë të Superligës së Kosovës në hendboll.
Në pjesën e parë skuadra pejane ishte vazhdimisht në epërsi. Vushtrria barazoi në 14:14 në minutën e 34-t. Më pas u luajt ndeshje e fortë dhe e barabartë deri në fund. Besa kishte epërsi 25:23 në minutën e 57-të. Vushtrria shënoi përmes Fatime Bashollit dhe Gentiana Bashollit për 25:25. Në minutën e 59-të, Edona Radoniqi e shënoi golin e fitores 26:25 për Besën.
Por ishte Mullakadrija që u dallua gjatë gjithë takimit.
Qëndresa Berisha i shënoi 7 gola për Besën. Nga gjashtë i kishin Adelina Berisha e Learta Gashi, ndërsa katër i realizoi Edona Radoniqi.
Te Vushtrria tetë gola i shënoi Gentiana Basholli. Gjashtë i kishte Burneta Rama, katër Albulena Kelmendi e tri Qëndresa Tërstena.
Besa tani i ka tri fitore e një humbje. Vushtrria mbetet me një fitore, ndërsa i ka edhe katër humbje.
Po të dielën, Kastrioti fitoi 47:30 ndaj Prishtinës. Bintou Oulare i shënoi 12 gola për skuadrën ferizajase. Eduarta Kurteshi i kishte nëntë gola për Prishtinën.
Kastrioti ka tri fitore e një humbje. Prishtina ka humbur katër ndeshjet e deritashme.