Kampionia në fuqi, Besa Famgas, ka shfaqur formë të lartë në prag të turneut final të Kupës së Kosovës.
Të shtunën në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, Besa e mposhti Kastriotin me rezultat bindës, 36:26. Ndeshja i takoi xhiros së 28-të, përkatësisht të fundit, të stinorit të rregullt në Superligën e Kosovës në hendboll.
E frymëzuar nga dhjetë pritjet e Mursel Mehmetit, Besa në pjesën e parë ishte vazhdimisht në epërsi, ndërsa në minutën e 18-të rezultati ishte 10:5 për pejanët. Deri në fund të pjesës së parë dallimi ishte nëntë gola në të mirë të Besa Famgas (19:10). Në pjesën e dytë mysafirët vetëm mbajtën epërsinë për të fituar bindshëm në fund.
Pos Mehmetit te Besa Famgas u dalluan edhe Olsi Mulaj me tetë gola, Antonio Vozila me shtatë dhe Arbios Mushkolaj e Jon Vokshi me nga gjashtë gola.
Lulzim Shabani i kishte tetë gola për Kastriotin. Gjashtë i realizoi Beni Sula, ndërsa katër Deniz Terziqi.
Besa në plejof starton nga pozita e dytë. I ka 48 pikë. Kastrioti përfundon i treti me 36 pikë. Këto dy skuadra do të përballen edhe në gjysmëfinale të plejofit. Por fillimisht në javën e ardhshme i pret turneu final i Kupës, që zhvillohet në Pejë.