Besa shkon tutje pas një fitore tjetër bindëse

Kampioni i Kosovës, Besa Famgas është kualifikuar në rrethin e dytë të Kupës së EHF-së. Në rrethin e parë ekipin pejan e eliminoi Batumin e Gjeorgjisë ndaj të cilës skuadër arriti dy fitore të larta. Të dielen në palestrën “Karagaçi” në Pejë, Besa fitoi me rezultat 37:22. Pas pjesës së parë rezultati ishte 19:12 për vendasit. Në fakt fitorja ka mundur të jetë edhe më e lartë, pasi pejanët ishin dominant gjatë tërë kohës. Por epërsia e lartë e krijuar herët dhe dallimi në cilësi i skuadrave bëri të veten, ndërsa në fund fitorja ishte shumë e thellë.

Të shtunën në “Karagaç” Besa fitoi me rezultat 30:20 dhe kështu e siguroi kualifikimin thuajse pas ndeshjes së parë. Por në të dytën kampioni kosovar u shfaq edhe më fuqishëm. Është ky një fillim i shkëlqyeshëm i paraqitjes së ekipeve kosovare në edicionin e ri të Kupave Evropiane në hendboll, që shpresohet se do të vazhdohet edhe nga skuadrat tjera.

Trajneri Arben Muqolli të dielen ua dha rastin të gjithë lojtarëve dhe të gjithë shfaqën vlera. Gola shënuan plot 12 lojtarë. Më efikasi ishte Egzon Gjuka me pesë gola. Nga katër i realizuan Bajram Idrizi, Drenit Tahirukaj e Ardit Tafilaj.

Në xhiron e dytë Besa përballë do ta ketë skuadrën e madhe nga Norvegjia, Drammen. Ndeshjet do të luhen në tetor..

Besa Famgas – Batumi 37:22 (19:12)

Besa Famgas: Mehmeti, B.  Idrizi 4, Broqi, Gjuka 5, Jupa 2, Y. Muqolli 2, Tetova 2, D. Idrizi 3, Dre. Tahirukaj 4, Dri. Tahirukaj 3, Ramosaj 3, Kukrika 2, Berisha, Tafilaj 4, J. Muqolli 3.

Lajme tjera