Vushtrria udhëton me synime të qarta për në Istog, për të shënuar fitore dhe për ta siguruar titullin e kampionit të Kosovës në hendboll. Shumë do të varet nga forma e Burneta Ramës, bartëses së lojës në ekipin vushtrrias.
Istogu e kishte fituar ndeshjen e parë, ndërsa ndeshjen e dytë të luajtur në Vushtrri e fitoi skuadra vendase. Tani rezultati në finale të plejofit është 1:1, kurse ndeshja e tretë dhe vendimtare është nesër prej orës 19:00 në Istog.
“Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Jemi përgatitur për finale dhe meqenëse tashmë jemi të barabartë, sigurisht që synojmë titullin e kampionit. Vushtrria gjithmonë ka qenë ekip me cilësi dhe me traditë. Nuk jemi rastësisht në finale”, ka thënë Rama.
Burneta javë më parë është kthyer nga një lëndim dhe ka rritur optimizmin te vushtrriaset.
“E njohim kundërshtarin, e cilësojmë mjaftë. Mirëpo mbetet në fushën e lojës të tregohet se kush do të jetë kampioni i Kosovës”, ka shtuar Burneta Rama.