Burneta Rama: Synojmë kualifikimin

Burneta Rama ne akcion

Vushtrria është në fazën finale të përgatitjeve për ndeshjen e parë të edicionit të ri të garave. Të shtunën hendbollistet e Vushtrrisë përballen me ato të Istogut. Këtë herë përballja e këtyre dy skuadrave nuk zhvillohet në kuadër të Superligës apo Kupës së Kosovës. Është ndeshje evropiane. Për herë të parë dy skuadra kosovare takohen mes vete në kupa evropiane.

KHF Vushtrria ndeshjen e organizon në palestrën e re në Samadrexhë, të shtunën nga ora 18:00. Është kjo ndeshje e raundit të dytë të Kupës Evropiane.

Skuadrën e Vushtrrisë në ndeshjet ndaj Istogut do ta udhëheq Burneta Rama, hendbollistja me përvojë.

“Vushtrria që në fillim të përgatitjeve për sezonin 2020/2021 ka qenë në gjendje të mirë, mund të them në të gjitha aspektet. Gjithçka rreth ushtrimeve ka shkuar shumë në rregull dhe me përpikëri i kemi zbatuar të gjitha detyrat e parapara nga trajneri, edhe pse ka qenë pak vështirë për shkak të pandemisë. Mirëpo jemi munduar që t’i respektojmë të gjitha rregullat”, thotë Burneta Rama.

Te KHF Vushtrria kanë kaluar Luljeta Sopjani e Lorena Matarova, që ishin në të kaluarën pjesë e Prishtinës. Po ashtu janë larguar disa lojtare.

“Jemi përforcuar me lojtare me shumë perspektivë nga Prishtina, si Luljeta Sopjani e Lorena Matarova. Luljeta tashmë ka përvojë, ka qenë fituese e kupave dhe kampionateve më herët, kurse Lorena është lojtare e re e cila është edhe në përfaqësuese të Kosovës dhe me shumë cilësi. Në ekipin e parë kanë ardhur edhe disa lojtare të reja, që sigurisht janë perspektive dhe besoj shumë që në të ardhmen do të jenë lojtaret kryesore të Vushtrrisë”, ka shtuar Burneta Rama, që udhëhoqi Vushtrrinë në qershor drejt triumfit në garat për Kupë të Kosovës.

Rama ka vazhduar se “synimet e Vushtrrisë gjithmonë kanë qenë të larta dhe këtë e kemi dëshmuar. Edhe për këto ndeshje, synim është të kalohet ky raund, ku e dimë se jemi rival për kohë të gjatë me Istogun. E dimë që cilësitë janë të barabarta kështu që besoj se do të jetë një lojë e fortë nga të dy skuadrat”.

Burneta nuk sheh ndonjë problem që ndeshja luhet në Samadrexhë, në afërsi të Vushtrrisë, në palestrën e re.

“Më e keqja është që nuk do ta kemi mundësinë për ta mbushur palestrën ashtu si mbushet gjithmonë me shikues. Edhe në Samadrexhë nuk do të mungonin tifozët e flaktë. Sa i takon gjithë edicionit, synojmë kupën dhe titulli i kampionit. Shpresoj të kthehemi në normalitet dhe të zhvillojmë kampionatin ashtu si duhet”, thotë Burneta Rama

Lajme tjera