Në fundjavë zhvillohen ndeshjet e xhiros së 14-të të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt). Është kjo xhiroja e fundit për këtë vit e kampionatit të Kosovës.
Xhiroja nis me ndeshje derbi dhe që pritet të jetë e fortë dhe shumë interesante. Të shtunën nga ora 19:00 takohen Kastrioti e Besa Famgas.
Besa është kampione në fuqi dhe skuadër dominante e dekadës së fundit. Por ka pasur vështirësi në udhëtimet e fundit në Ferizaj, ndërsa këtë edicion tashmë i ka tri humbje. Humbjen e katërt synon t’ia shkaktojë Kastrioti, që po ka synime gjithnjë e më të mëdha këtë edicion. Natyrisht, pejanët udhëtojnë për pikë të reja dhe për të vazhduar garën për pozitën e parë. Vendasit shpresojnë të ndalin pikët për vete.
Besa Famgas është e dyta me 20 pikë. Kastrioti është i katërti me 16 pikë.
Tri ndeshjet tjera janë të dielen. Ndeshja më e fortë pritet të jetë ajo mes Prishtinës dhe Trepçës, që zhvillohet nga ora 17:00 në Bardhosh. Trepça është e treta me 18 pikë. Prishtina është e pesta me 14 pikë.
Lideri i klasifikimit, Rahoveci, llogarit në dy pikë të reja. E pret Deçanin nga ora 18:00. Po nga ora 18:00 takohen edhe Vushtrria e Vëllaznimi.