Donita Lajqi: Nuk ka gjë më të madhe se sa ta prezantosh vendin tënd

Pas përvojës me Kosovën U17, Donita Lajqi pret të tregohet e suksesshme me Kombëtaren U19 të Kosovës në hendboll.

Donita bën karrierë në Norvegji dhe më 1 korrik do të jetë në dispozicion të Kosovës U19, që nis grumbullimin në Istog. Kosova U19 do të luaj në Evropianin e Divizionit B që prej 10 deri më 18 korrik mbahet në Shkup.

Donita luan në pozitën e bekut të majtë dhe të qendrës. Karrierën e ka nisur në vitin 2010 në Lorenskog, ku i kaloi tetë vjet. Në vitin 2019 e kaloi një edicion te Ellingsrud. Kurse prej marsit të vitit 2020 ishte te Oppsal, ku vazhdon të jetë ende. Ajo momentin kryesor në karrierën në hendboll e cilëson zgjedhjen lojtarja më e mirë, derisa po paraqitej për Kosovën U17 ndaj Izraelit, në vitin 2019.
Ajo planifikon të luaj ende për Oppsalin. Tregon se është ndër klubet elitare të Norvegjisë, kurse synim i Donita Lajqit është që një ditë të bëhet pjesë e ekipit të parë. Liga e Norvegjisë është e nivelit shumë të lartë.
E kemi pyetur Donitën se a është e kënaqur që sërish do të luaj për Kosovën.

“Po, natyrisht. Është një kënaqësi e veçantë dhe jam shumë e lumtur ta përfaqësoj Kosovën”, thotë ajo.
Prej ndeshjeve në Shkup, Donita pret që “të gjitha vajzat ta japin maksimumin si kurrë më parë, sepse nuk ka diçka më të madhe në sport se ta prezantosh vendin tënd. Pres dhe besoj që kësaj radhe do të fitojmë disa ndeshje në grup”.

Ftesën nga Kombëtarja e Kosovës e vlerëson si nder, kurse përsërit se është e lumtur që e prezanton vendin e saj.

“Kam luajtur për Kosovën dy vjet më parë dhe ishte një eksperiencë e mirë dhe një ndjenjë e papërshkrueshme. Falë përvojës nga dy vjet më parë, besoj se kësaj radhe do të dalim më mirë”, thotë Donita Lajqi.

Lajme tjera