Krahas ndeshjeve evropiane në fundjavë zhvillohen edhe ndeshjet e garave vendore. Kështu të shtunën e të dielen luhet java e katërt në Superligën e hendbollisteve. Të shtunën janë dy ndeshje e të dielen tri të tjera.
Kampioni aktual, Shqiponja, të shtunën nga ora 14:00 e pret Samadrexhën. Ndeshja luhet në Gjakovë, ndërsa Shqiponja është favorite e madhe. Shqiponja i ka fituar tri ndeshjet e para dhe udhëheq në tabelë me gjashtë pikë. Samadrexha ka humbur tri ndeshjet e deritashme.
Prej orës 15:30 luhet takimi në mes të Dritës dhe Kastriotit. Drita është e gjashta me katër pikë, ndërsa me pikë të njëjta në vend të pestë është skuadra ferizajase Kastrioti.
Derbi i javës së katërt luhet të dielen. Nga ora 17:00 takohen Prishtina e Istogu.Bëhet fjalë për dy skuadra që synojnë trofe. Prishtina i ka tri fitore deri më tani, ndërsa Istogu ka dy fitore e një humbje dhe mbanë vendin e katërt. Prishtina është e dyta me gjashtë pikë sa i ka edhe Vushtrria e vendit të tretë.
Të dielen luhen edhe ndeshjet Vëllaznimi – Vjosa (15:00) dhe Vushtrria – Jusuf Gërvalla (15:00).
Këtë fundjavë nis gara edhe në Ligën e Parë të meshkujve. Të dielen janë ndeshjet KEK-u – Llapi (15:00) e Deçani – Prizreni (12:00). Në kuadër të javës së parë luhet edhe takimi Lepenci – Ulpiana, derisa Dukagjini është i lirë.
Në Ligën e Parë të femrave zhvillohet java e dytë. Të shtunën janë takimet: Prizreni – Deçani (18:00), CLICK – Verona (19:30) dhe Llapusha – Dukagjini (12:00). Të dielen prej orës 13:30 takohen KEK-u e Trepça, ndërsa Ferizaj – Ulpiana është ndeshje tjetër e kësaj jave.
Në Superligën e meshkujve ndeshjet e javës së pestë zhvillohen më vonë.