Ferizaj e ka nisur mbarë edicionin e ri në Superligën e Kosovës në hendboll.
Të dielën mbrëma në palestrën “Bill Clinton”, hendbollistet ferizajase mposhtën kampionin, Istogun, me rezultatin 33:31.
Derbi i xhiros së parë ishte i fortë dhe shumë i luftuar, nga fillimi e deri në fund. Në pjesën e parë Istogu u shkëput deri në tri gola, por pas 30 minutave rezultati ishte 16:14 për Ferizajn.
Në pjesën e dytë hendbollistet ferizajase ishin vazhdimisht në epërsi. Istogu ia doli të afrohet në dy gola, por jo edhe më shumë, ndonëse përpjekjet nuk i ndali deri në fund.
Salematou Camara udhëhoqi sërish Ferizajn me 10 gola. Gjashtë i kishte Shkurte Mehmeti, ndërsa pesë i shënoi Luljeta Sopjani. U dallua edhe portierja Teninke Kaba.
Lana Paviçeviq i shënoi 10 gola për Istogun. Nëntë i kishte Astou Ndiaye, kurse tetë i kishte Sebastio Suca Paulo.
Të dielën u luajt edhe ndeshja e Llapit me Prishtinën që i takoi xhiros së parë të Superligës së hendbollistëve.
Prishtina fitoi me rezultatin 50:31. Enis Kuleta i kishte 16 gola për Prishtinën, ndërsa 10 i realizoi Oltion Beshiri.
Ardi Halili i shënoi 12 gola për Llapin kurse gjashtë i kishte Blerton Hasani.