Bashkëpunimi shembullor mes Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit është konfirmuar edhe një herë.
IHF-ja ia ka besuar federatës sonë organizimin e një tjetër ngjarjeje të rëndësishme. Bëhet fjalë për IHF Trophy për Zonën Evropiane për hendbollistët e grupmoshës U18 dhe U20. Kjo ngjarje, që pritet të grumbullojë mbi dhjetë ekipe kombëtare, do të mbahet prej 13 deri më 19 janar të vitit të ardhshëm.
Kampionati IHF Trophy është kualifikues për Botëror dhe kjo e bën edhe më të rëndësishëm.
Ka shumë vjet që FHK-ja shquhet me organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare të hendbollit. Kampionatin IHF Trophy tashmë e kemi organizuar shumë herë dhe vlerësimet e Federatës Ndërkombëtare ishin vazhdimisht në superlativ.
Sivjet në Prishtinë janë organizuar dy Kampionate Evropiane të grupmoshave të reja dhe EHF-ja po ashtu ka vlerësuar FHK-në për punën e kryer.
Përmes IHF Trophy ekipet tona kombëtare janë kualifikuar dy herë në Kampionat Botëror.
Ky është synimi kryesor edhe për ngjarjen që do ta organizojmë në janar bashkë me partnerët tanë besnikë.