Istogu ka fituar ndaj Besës në Pejë, të premten mbrëma. Ndeshja e mbetur e xhiros së shtatë të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave përfundoi me rezultat 43:16 në të mirë të Istogut.
Arlinda Dinarica e Lana Paviçeviq i shënuan nga 11 gola për Istogun. Edona Radoniqi ishte më efikasja te Besa me pesë gola.
Kjo ishte ndeshja e fundit e stinorit vjeshtor në Superligën e hendbollisteve.
Në vendin e parë dimëron Ferizaj me 16 pikë. Ferizajaset i kanë fituar të gjitha tetë ndeshjet. Istogu është i dyti me 14 pikë. Samadrexha, Kastrioti e Shqiponja i kanë nga dhjetë pikë. Pason Besa me gjashtë, Vushtrria me katër dhe Tereza e Prishtina me nga një.