Istogu e humb për një gol ndeshjen e parë me portugezet, mbetet fuqishëm në garë për kualifikim

Hendbollistet e Istogut kanë luftuar deri në fund në ndeshjen shumë dramatike me skuadrën portugeze 1 Maio/Ada. Pësuan me rezultat 31:30, të shtunën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë.
Ishte kjo ndeshja e parë e raundit të dytë të Kupës Evropiane për hendbolliste. Ndeshja e dytë është të dielën prej orës 18:00 dhe rezultati i ndeshjes së parë e lë plotësisht të hapur çështjen e kualifikimit. Skuadra istogase është shquar për angazhimin dhe shpirtin luftarak deri në fund. Madje me pak më shumë fat, Istogu do të mund ta fitonte ndeshjen e së shtunës. Në momente kur është vendosur sfida, istogaseve u ka munguar qetësia.
Skuadra portugeze ka nisur më mirë ndeshjen dhe ka mbajtur epërsi të lehtë në pjesën e parë. Por skuadra istogase nuk është dorëzuar dhe në minutën e 42-të barazoi në 21:21 me golin e kapitenes Albina Rugova.
Në minutën e 58-të Istogu barazoi sërish, me golin e Arlinda Dinaricës. Dinarica realizoi edhe në fund për rezultatin përfundimtar, 31:30.
Kapitenja Rugova është shquar tek Istogu me tetë gola nga nëntë tentime. Shtatë gola nga tetë tentime i kishte Arlinda Dinarica. Ndërkohë Fatiha Haimer i shënoi pesë gola nga pesë tentime.
Paraqitja e së shtunës mbrëma duhet të shërbejë si motivim për Istogun që ta kërkojë kualifikimin e madh në ndeshjen e së dielës.

Lajme tjera