Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Istogu fiton në Vushtrri, tjetër fitore për Besën

Kampioni i Kosovës në hendboll, Istogu, nuk ka lejuar befasi. Ekipi istogas të shtunën fitoi ndaj Vushtrrisë me rezultat 38:30. Ndeshja e xhiros së tretë të Superligës së hendbollisteve u zhvillua në palestrën “Jeton Tërstena – Tota” në Vushtrri.
Istogu tani i ka dy fitore e një humbje, ndërsa Vushtrria ka një fitore e dy humbje.
Pjesa e parë e ndeshjes ishte e barabartë, ndërsa Istogu bëri shkëputjen në rezultat në pjesën e dytë. Dallimi më i madh në rezultat ishte në dhjetë minutat e fundit.
Maira Vitoria Vincentini i shënoi 11 gola për Istogun. Shtatë i kishte Astou Ndiaye, ndërsa nga gjashtë i realizuan Myloslava Borodai e Lana Paviqeviq.
Burneta Rama i realizoi 11 gola për Vushtrrinë. Pesë i kishte Fatime Basholli, ndërsa nga katër i shënuan Albulena Kelmendi e Agnesa Hysa.
Fitoren e dytë në Superligë e shënoi edhe Besa.
Të shtunën në Pejë, Besa e mposhti skuadrën nga Obiliqi, Tereza, me rezultat 27:26. Ndeshja ishte e barabartë dhe me fund interesant. Në minutën e 54-t, mysafiret shënuan për 26:24. Por tri golat e fundit i shënoi skuadra vendase, për fitore 27:26. Edona Radoniqi e Learta Gashi shënuan në minutën e fundit.
Radoniqi ishte më efikasja me nëntë gola. Pesë i kishte Klea Kelmendi e katër Learta Gashi. Arjeta Imeraj i shënoi 10 gola për Terezën. Katër i kishte Kalrina Paci.
Dy ndeshje tjera të xhiros së tretë janë të dielën.