Istogu po shfaqet i pandalshëm në Superligën e Kosovës në hendboll (femrat).
Të shtunën Istogu e luajti derbin me kampionen aktuale, Vushtrrinë. Skuadra istogase fitoi me rezultat 31:16. Pas pjesës së parë rezultati ishte 14:9 në të mirë të istogaseve.
Esma Muratoviq i shënoi 10 gola për Istogun. 7 i kishte kapitenia Albina Rugova. Lorena Matarova u shqua me efikasitet te Vushtrria, duke realizuar 7 gola. Gentiana Basholli e Burneta Rama realizuan nga 4 gola.
Për Istogun është fitorja e nëntë rresht. Udhëheq në tabelë me 18 pikë. Vushtrria e ka pësuar humbjen e dytë dhe mbetet e dyta me 14 pikë.
Në tri ndeshje tjera rezultate ishin më të ngushta. Jusuf Gërvalla fitoi ndaj Samadrexhës me 25:23. Vëllaznimi si nikoqir humbi nga Vjosa me rezultat 29:27, ndërsa me dy gola dallim fitoi edhe Kastrioti si mysafir i Ulpianës (30:28). Të premten, Ferizaj e mposhti Dritën me 34:24.