Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Istogu pa telashe ndaj Prishtinës, fitorja e dhjetë për Ferizajn

Kampioni në fuqi, Istogu, nuk ka pasur telashe për ta fituar ndeshjen e xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës në hendboll (femrat). Të shtunën në Banjë, Istogu fitoi ndaj Prishtinës me rezultat 36:22. Pas pjesës së parë istogaset kishin epërsi prej pesë golash, 17:12.
Kapitenia Albina Rugova udhëhoqi Istogun me dhjetë gola. Dajana Milaniq i kishte gjashtë gola, ndërsa Fatiha Haimer i realizoi pesë.Te Prishtina më efikasja ishte Sia Celine Tolno me 13 gola. Bintou Oulare i kishte tri gola.
Istogu është i dyti në tabelë me 16 pikë, por ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Prishtina renditet e gjashta me dhjetë pikë.
Fitoren e dhjetë rresht e ka shënuar Ferizaj. Ferizaj kishte ndeshje në udhëtim, ndërsa e mposhti Vushtrrinë me rezultat 29:25. Pas pjesës së parë dallimi ishte pesë gola në të mirë të Ferizajt, 16:11.
Amanda Stein i shënoi nëntë gola për Ferizajn, ndërsa shtatë i kishte Amanda Lemos De Andrade.
Ferizaj udhëheq me 20 pikë. Vushtrria renditet e pesta me 10 pikë.
Skuadra tjetër ferizajase, Kastrioti, pësoi 37:30 nga Shqiponja në Gjakovë. Victoria Nascimento Silva shënoi dhjetë gola për Shqiponjën, ndërsa gjashtë i kishte Diellza Nuza. Nga gjashtë gola për Kastriotin i kishin Puhiza Gashi e Vahide Gashi.
Shqiponja tani është e katërta me 12 pikë. Kastrioti ka katër pikë në vendin e tetë.
Ndeshja më e barabartë ishte ajo mes Ulpianës dhe Jusuf Gërvallës. Në fund rezultati ishte 29:29. Ermira Krasniqi i shënoi 11 gola për Ulpianën. Arijeta Imeraj i kishte 12 gola për skuadrën Jusuf Gërvalla.
Për Ulpianën ishte barazimi i dytë. Ka dy pikë në vendin e fundit. Jusuf Gërvalla fitoi pikën e pestë, që i mjaftojnë për vendin e shtatë.

Lajme tjera