Trajneri i suksesshëm spanjoll, Javier Cabanas do ta drejtojë Kombëtaren e Kosovës në hendboll në dy ndeshjet e para të raundit të dytë kualifikues për “Euro 2022”.
Kombëtarja jonë më 4 nëntor luan ndaj Malit të Zi në Podgoricë kurse më 8 nëntor e pret Suedinë në Prishtinë.
Cabanas aktualisht e drejton kampionin e Kosovës në hendboll, Besa Famgas.Vlerësohet lartë fryma që ka sjellë ai në skuadrën pejane dhe profesionalizmi i shfaqur.
Cabanas është vetëm zëvendësues i selektorit Taip Ramadani për këto dy ndeshje. Vendimin që Cabanas të zëvendësojë Ramadanin e ka marrë presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini.
Ramadani vazhdon të jetë selektor i Kosovës dhe do të emërojë ekipin për ndeshjet me Malin e Zi dhe Suedinë. Por për shkak të situatës së krijuar me koronavirus, Ramadani e ka të pamundur të udhëtojë nga Australia, ku jeton, për në Kosovë.
Për këtë arsye presidenti Saraçini, në bazë të kompetencave, dhe në bashkërendim të plotë me selektorin Ramadani, ia ka besuar drejtimin e ekipit kombëtar spanjollit me përvojë të gjatë e të suksesshme, Cabanas.
Ndaj Malit të Zi dhe Suedisë do të vazhdohet puna e bërë në vitet e fundit dhe shpresohet për hapa tutje para.