Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar të enjten përgatitjet për ndeshjet e javës së ardhshme që i takojnë eliminatoreve për Euro 2022. Prej 3 deri më 5 qershor, vajzat tona luajnë në Prishtinë me Qipron, Luksemburgun e Portugalinë.
Atmosfera në Kombëtare është shumë e mirë. Kapitenia Njomza Kelmendi ka konfirmuar se synim mbetet kualifikimi. Njomza së bashku me Blerta Ahmetxhekajn e Rinesa Ukajn po punojnë me seriozitet maksimal me trajneren e portiereve, Valbona Rudaku.
“Atmosfera është e mirë dhe po punojmë me përkushtim maksimal. Presim të kompletohemi ditëve të ardhshme dhe do të kemi më pas disa stërvitje me grup të kompletuar. Javën tjetër na presin ndeshje të vështira, por jemi të përkushtuara për të dhënë më të mirën e mundshme. Natyrisht synimi mbetet vendi i parë në grup. Ndonëse kundërshtarët janë të vështirë, me angazhim e përkushtim besojmë se mund t’ia dalim ta fitojmë grupin”, ka theksuar Kelmendi.
Kontributi i portiereve, Njomzës, Blertës e Rinesës, është jetik për synimin për të kaluar me sukses raundin e parë kualifikues.