Kombëtarja e Kosovës mëson të enjten kundërshtarët e kualifikimeve për Botëror

Rrugëtimi i Kosovës për në Kampionatin Botëror të vitit 2023 në hendboll fillon të enjten kur tërhiqet shorti i fazës së parë të kualifikimeve evropiane.

Pas sukseseve në vitet e fundit, sidomos në ciklin e fundit kualifikues, Kombëtarja jonë do ta kërkojë suksesin në kualifikimet për Botëror. Kalimi i fazës së parë kualifikuese është synim fillestar. Kosova në kualifikimet për Evropianin e vitit të ardhshëm, kishte shënuar një fitore historike ndaj Rumanisë, ndërsa me rumunët morëm edhe një barazim. Po ashtu luajtëm dy ndeshje të forta me Malin e Zi.

Kështu që tani synohet hapi tutje, përkatësisht kalimi me sukses i fazës së parë kualifikuese për Botërorin 2023. Në fazën e parë kualifikuese marrin pjesë 16 ekipe kombëtare që nuk janë kualifikuar në Euro 2022. Do të formohen katër grupe me nga katër kombëtare, ndërsa dy të parët e secilit grup avancojnë në fazën tjetër kualifikuese. Kosova natyrisht synon të jetë njëra prej tyre.

Shorti tërhiqet të enjten prej orës 11:00, ndërsa Kosova është e para në vazon e katërt. Në vazon e parë janë Rumania, Letonia, Belgjika e Finlanda. Në vazon e dytë janë Italia, Turqia, Izraeli e Estonia. Në vazon e tretë janë Luksemburgu, Greqia, Qipro e Gjeorgjia. Ndërsa në të katërtën janë Kosova, Ishujt Faroe, Britania e Madhe dhe Moldavia.

Do të ketë short edhe për të përcaktuar të drejtën e organizimit të turneve të grupeve.

Botërori 2023 mbahet në Suedi dhe në Poloni. Shumë prej kundërshtarëve të mundshëm janë të njohur për Kombëtaren tonë. Në eliminatoret e kaluara për Botëror, Kosova kishte përfunduar e dyta në grup.

Lajme tjera