Kombëtarja e Kosovës në hendboll i ka përfunduar të dielën kualifikimet për Kampionatin Botëror të këtij viti.
Kombëtarja jonë u ndal në raundin e dytë dhe të fundit kualifikues. U eliminua nga Kombëtarja bindshëm më cilësore e kualifikimeve, Suedia.
Pas humbjes së pësuar të enjten në Karlskrona, Kombëtarja jonë humbi edhe të dielën në Prishtinë. Por u paraqit dukshëm më mirë se në ndeshjen e parë dhe pësoi me rezultat 43:24.
Ka pasur elemente në lojën e Kombëtares sonë, që japin shpresë për të ardhmen. Natyrisht kanë ndikuar edhe mungesat e shumta në rezultatin e përgjithshëm.
Në ndeshjen e së dielës më efikasja ishte Merlinda Qorraj me 11 gola. Tri i shënoi Mirjeta Bytyqi, ndërsa nga dy i kishin Luljeta Sopjani, Albina Rugova, Arlinda Dinarica dhe Suzana Ujkiq. Nga një gol e shënuan Sara Gjergjaj e Yllka Shatri. Aurora Kryeziu i kishte katër pritje.
Në fazën e parë kualifikuese, në vjeshtën e vitit të kaluar, Kombëtarja jonë mposhti Belgjikën dhe Bosnjë-Hercegovinën. Por i mungoi fati në short për fazën e dytë, njëjtë si për ciklet e kaluara.
Në vjeshtë Kombëtarja jonë i nis kualifikimet për Evropianin e ardhshëm.