Të enjten janë zhvilluar tri ndeshje çerekfinale të Kupës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.
Skuadrat favorite kanë bërë vend në gjysmëfinale.
Fillimisht Ferizaj e fitoi derbin e qytetit ndaj Kastriotit me rezultat 40:26.
Lorena Matarova e Shkurte Mehmeti udhëhoqën Ferizajn me nga dhjetë gola.
Shtatë gola për Kastriotin i kishte Puhiza Gashi e pestë Bintou Oulare.
Ferizaj është fitues në fuqi i Kupës.
Kampioni në fuqi, Istogu, eliminoi në çerekfinale Shqiponjën e Gjakovës, duke e mposhtur me rezultat 43:28. Suzana Ujkiq i shënoi 11 gola për Istogun, ndërsa nëntë i kishte Astou Ndiaye.
Helen Da Silva Souza, Alma Nivokazi dhe Orgesa Gola i shënuan nga pesë gola për skuadrën gjakovare.
Fitore bindëse, 41:14, shënoi Vushtrria ndaj Besës së Pejës. Agnesa Hysa e Sevdanur Ozkan i shënuan nga tetë gola për Vushtrrinë.
Katër gola për Besën i shënoi Edona Radoniqi e tri Klea Kelmendi.
Të mërkurën gjysmëfinalen e siguroi Samadrexha.