Kosova debuton në botëror, lufton deri në fund me Kroacinë

xhafolli

Kombëtarja U21 e Kosovës në hendboll ka luajtur të martën pasdite ndeshjen e parë në kampionatin botëror të juniorëve. Është kjo ndeshje debutuese e Kosovës në kampionate botërore në të gjitha sportet, pra hendbolli shkruan sërish historinë.

Kosova luajti në Pontevedra të Spanjës dhe humbi nga Kroacia me rezultat 23:17. Kroacia është superfuqi e hendbollit, por djelmoshat tanë ishin plotësisht të barabartë ndaj kroatëve. Ashtu si premtuan, luftuan për çdo top, në çdo pjesë të fushës dhe deri në fund të ndeshjes.

Pjesa e parë përfundoi me rezultat 14:11 për kroatët. Djemtë tanë meritojnë respekt për lojën me zemër, të disiplinuar dhe për prezentimin dinjitoz të shtetit tonë në Spanjë. Shtabi teknik ka përgatitur mirë ndeshjen, ndërsa lojtarët i janë përmbajtur urdhërave të trajnerëve.

Kosova mori duartrokitjet e shikuesve në palestër dhe dëshmoi se në Spanjë ka synimet e saj. Tani djemve tanë u mbetet të përgatiten për ndeshjet tjera të forta që na presin në vazhdim të kampionatit.

Të gjithë lojtarët meritojnë lavdata për çasjen ndaj ndeshjes dhe angazhimin. Me pritje të shumta janë dalluar portierët Art Luzha e Flakrim Beqiraj, kurse Jon Muqolli, Atdhe Basholli, Albin Xhafolli, Drenit Tahirukaj, Arben Dugolli, Festim Mustafa, Lulzim Shabani, Blendi Dalladaku, Adrian Halili, Rinor Avdulli, Labinot Gubetini, Besian Abazi e Agon Bajqinovci kanë dhënë shumë për debutim solid të Kosovës në ngjarjen më të madhe.

Kosova është paraqitur me flamur shtetëror e poashtu është intonuar himni i Kosovës.

Kroacia – Kosova 23:17 (14:11)

Kosova: Luzha, Gubetini, Dugolli 1, Abazi, Bajqinovci, Shabani, Avdulli 1, Tahirukaj 2, Mustafa, Beqiraj, Muqolli 7, Xhafolli 2, Basholli 3, Halili 1, Dalladaku.

Lajme tjera