Kosova me fitore të madhe ndaj Moldavisë

Kombëtarja U-20 e Kosovës në hendboll të hënën ka treguar fytyrën e vërtetë në kampionatin evropian, Divizioni B, që po mbahet në Podgoricë të Malit të Zi. Me një paraqitje cilësore, kombëtarja jonë fitoi ndaj Moldavisë me rezultat bindës, 32:26. Pas pjesës së parë rezultati ishte i barabartë, 12:12, por në të dytën djelmoshat tanë shkëlqyen dhe arritën te fitorja e parë në këtë evropian.

Kombëtarja jonë e nisi ndeshjen me një lloj frike, ndonëse vlerësohej favorite. Fati deshi që në fillim lojtarët të humbasin disa raste dhe kjo bëri që moldavët të krijojnë një avantazh deri në katër gola. Mirëpo nga minuta e 15-të e tutje djelmoshat tanë nisën të marrin veten dhe në pushim shkuan me barazim. Ajo që pritej edhe ndodhi në pjesën e dytë. Lojtarët e Kosovës ishin shumë më efikas dhe loja jonë filloi të funksionojë.  Funksionoi sidomos dyshja ballore e përbërë nga Jon Muqolli e Drenit Tahirukaj. U dallua edhe Labinot Gubetini që shënoi tre gola rresht për të bërë diferencën.

Muqolli ishte më efikasi me plot 14 gola. Tahirukaj shënoi tetë herë, ndërsa Gubetini katër herë.

Kosova në dy ndeshjet e para ka pësuar nga Holanda e Çekia, ndërsa ndeshjen e rradhës e luan ndaj Austrisë, të mërkurën. Më pas përballet edhe me Bullgarinë. Ndeshja e së hënës jep shpresë e besim për paraqitje të denjë edhe në takimet e ardhshme.

Moldavia – Kosova 26:32 (12:12)

Kosova: J. Muqolli 14, Tahirukaj 8, Gubetini 4, Shabani 3, Vokshi 2, Halili 1, Abazi, Bajqinovci, Basholli, Beqiraj, Berisha, Dugolli, Hoxha, Luzha, Y. Muqolli, Mustafa.

Lajme tjera