Kosova me paraqitje të madhe, fiton ndeshjen e parë me Ishujt Faroe

Hendbollistet e Kombëtares së Kosovës kanë shfaqur ndeshje të madhe të enjten mbrëma në palestrën në Istog.
Vajzat tona kanë fituar 27:24 ndaj Kombëtares së Ishujve Faroe. Ishte ndeshja e parë e raundit të parë kualifikues për Botërorin 2023. Ndeshja e dytë është menjëherë të shtunën nga ora 19:30. Edhe ndeshja e dytë luhet në Istog.
Kombëtarja e Kosovës ishte thuajse gjithë kohën në epërsi, që ka shkuar deri në katër gola në shumë raste. Vajzat tona kanë kontrolluar ndeshjen, por lojtaret e Ishujve Faroe nuk janë dorëzuar dhe nuk kanë lejuar shkëputje më të madhe.
Kapitenja Leonora Demaj ishte më efikasja me 9 gola. Ajo i shënoi 9 golat nga 10 tentime. Marigona Hajdari pos që u shqua me organizim të lojës, realizoi katër gola nga gjashtë tentime. Fitore Aliu i kishte katër gola nga pesë tentime, ndërsa kontribut kanë dhënë të gjitha lojtaret.
Synim mbetet që të fitohet edhe ndeshja e dytë dhe të sigurohet avancimi në raundin e dytë kualifikues.

Lajme tjera