Kombëtarja e Kosovës në konkurrencë të femrave të martën ka mësuar kundërshtarët e kualifikimeve evropiane për Kampionatin Botëror për hendbolliste që mbahet vitin tjetër (2019). Shorti është tërhequr në kuadër të Kongresit të EHF-së që po mbahet në Glasgow të Skocisë. Kosova ishte në vazon e dytë prej tri sa ishin gjithsej, ndërsa për kundërshtarë në grupin e parë i ka Sllovakinë, Ukrainën e Izraelin. Sllovakia ishte në vazon e parë, Ukraina në të dytën, njëjtë si Kosova, ndërsa Izraeli në të tretën.
Në grupin e dytë janë Zvicra, Ishujt Faroe, Lituania e Finlanda. Në të tretin bëjnë pjesë Bjellorusia, Italia, Portugalia e Greqia, ndërsa në të katërtin janë Turqia, Maqedonia, Islanda e Azerbajxhani.
Botërori i hendbollistëve mbahet vitin tjetër në Japoni, ndërsa kjo është faza e parë kualifikuese evropiane. Katër fituesit e grupeve shkojnë tutje, njëjtë si përfaqësuesja e dytë me bilancin më të mirë. Faza e dytë kualifikuese është plejofi.