Kombëtarja A e Kosovës në hendboll për femra ka pësuar humbje të thellë nga Bjellorusia. Ndeshja e luajtur të dielen në Minsk përfundoi me rezultat 41:18 në të mirë të hendbollisteve vendase. Pas pjesës së parë rezultati ishte 21:9.
Kjo ndeshje u luajt në kuadër të grupit të shtatë të fazës së dytë eliminatore për evropian. Kosova ka humbur të gjitha katër ndeshjet dhe është e fundit në grup. Kosova për herë të parë po luan në fazën e dytë eliminatore, pas suksesit historik të verës së kaluar, kur kaloi fazën e parë.
Kosova fillimisht ka humbur nga Hungaria e Holanda e më pas dy herë nga Bjellorusia. Të mërkurën në Prishtinë bjelloruset fituan me rezultat 31:22 në një ndeshje ku Kosova pati paraqitje solide. Por paraqitja e së dieles e Kosovës ishte larg prej asaj në Prishtinë. Pati shumë dobësi në lojë, shumë topa të humbur dhe kështu humbja ishte e lartë. Kanë ndikuar shumë faktorë në paraqitjen e Kosovës. Dy lojtare të rëndësishme, Mirela Gjikokaj e Fitore Aliu ishin me përfaqësuesen U-20 në Beograd dhe kanë udhëtuar tërë natën mes të premtes e së shtunës, për t’u nisur menjëherë të shtunën në mëngjes nga Prishtina për në Minsk.
Lodhja te përfaqësuesja ishte evidente, por edhe presioni psikologjik për shkak të situatës rreth përfaqësueses U-20 në Beograd. Përfaqësuesja u paraqit me vetëm 12 lojtare, pasi disa prej lojtareve ishin në Beograd.
Kosova ndeshjen e radhës e luan më 30 maj kur e pret Hungarinë. Kualifikimet i mbyll me 2 qershor kur luan si mysafire e Holandës.
Për ndeshjen përzgjedhësi Agron Shabani ka thënë: “Është e vërtetë që lodhja ishte prezente. Dështuam në disa pika, kurse kuadri ishte i vogël. Bjellorusia ushqehej me gabimet tona dhe me kundërsulme të shpejta rriti epërsinë. Vajzat ishin të ngarkuara me situatën që ndodhi në Serbi, por ne gjithsesi duhet të punojmë edhe më shumë dhe të angazhohemi për të gjetur në diasporë dhe Kosovë vajza tjera që duan dhe mund të japin kontribut. Vajzat sot e dhanë atë që patën mundësi”.
Bjellorusia – Kosova 41:18 (21:9)
Kosova: Demaj 7, Aliu 3, Gjikokaj 3, Kameri 2, Rugova 2, Stagova 1, Kelmendi, Krasniqi, Mehmeti, Osmani, Salihaj, Shehdadi.