Më 2 shkurt vazhdon shkollimi për trajnerë

Shkollimi për trajnerë të hendbollit vazhdon të shtunën e të dielen e ardhshme, më 2 e 3 shkurt. Në Gjakovë do të mbahet pjesë e dytë e Modulit III, ka njoftuar Shoqata e Trajnerëve të Hendbollit të Kosovës.

Gjatë dy ditëve trajnerët që po e ndjekin shkollimin, do të kenë program të ngjeshur me shumë tema të rëndësishme për ta. Kështu të shtunën prej orës 10:00 deri në ora 11:00 Dr. Labinot Mati do të ligjërojë për Strukturën e Ashtit, Ligamentit, Nyjës, Aparatit Lokomotor dhe Muskulit.

Më pas prej orës 11:15 deri në ora 12:15 do të jetë pjesa e parë e ligjeratës për Metodat diagnostike të testimit në hendboll. Pjesa e dytë do të mbahet prej orës 12:30 deri në 13:30. Eksperti slloven Urosh Mohoriq do të ligjërojë për metodat. I njëjti do të mbajë edhe pjesën praktike të testimeve në hendboll. Janë të parapara tri pjesë, që nisin në ora 14:30 dhe vazhdojnë deri në ora 19:30. Prej orës 20:15 deri në 21:45 është koha për diskutime e pyetje.

Edhe të dielen program nis në ora 10:00. Labinot Mati do të ligjërojë për faktorët e rrezikut për lëndime dhe llojet dhe frekuencat e lëndimeve. Prej orës 11:15 deri në 12:15 Urosh Mohoriq do të ligjërojë për Analizën dhe interpretimin e rezultateve të testimit në hendboll. Eksperti tjetër slloven, Primozh Pori do të mbajë ligjëratën teorike për trening polimetrik në hendboll (12:30 – 13:30).

Edhe pasdita e së dieles është e rezervuar për praktikë, kurse Pori do të jetë përgjegjës për të. Do të punohet për ushtrimet e agjilitetit te hendbollistët (14:30 – 15:30), ushtrimet për përmirësimin e reflektimit te hendbollistët (16:15 – 17:45), ushtrimet për përmirësimin e gjuajtjes te hendbollistët (18:00 – 19:30). Edhe të dielen prej orës 20:15 deri në 22:00 është koha e paraparë për diskutime e pyetje.

Pjesa teorike do të mbahet në shkollën fillore “Yll Morina” në Gjakovë, ndërsa pjesa praktike në palestrën “Fontanna”, afër palestrës “Shani Nushi”.

Lajme tjera