Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka vazhduar përgatitjet për ndeshjet e javës së ardhshme me Ishujt Faroe.
Mirela Gjikokaj është një prej lojtareve që në Kombëtare ka ardhur pas formës së lartë që e shfaqi në nivel klubesh. Mirela po luan për Follon në Norvegji, ndërsa nuk ka ende humbje këtë edicion. Follo po lufton për kthim në elitën norvegjeze.
Gjikokaj në ndeshjet e deritashme është dalluar me shumë asistime dhe me lojë të mirë në mbrojtje. Në ndeshjen e fundit i kishte plot 10 asistime.
“Me skuadrën po luajmë mirë, ndërsa edhe forma ime personale nuk është e keqe. Shpresoj dhe besoj fuqishëm se me Kombëtaren do të shfaq më të mirën e mundshme. Na presin dy ndeshje të forta, por jam e sigurt se angazhimi do të jetë maksimal nga të gjitha vajzat për avancim tutje. Presim edhe përkrahjen e shikuesve, përkatësisht që palestra të jetë e mbushur”, ka thënë Mirela Gjikokaj.
Kombëtarja të premten udhëton për në Selanik ku të shtunën e të dielën luan ndeshje përgatitore me Greqinë. Prej të hënës vazhdon përgatitjet në Istog. Në Istog luhen ndeshjet me Ishujt Faroe, që janë të fazës së parë kualifikuese për Botëror.