Në Istog përcaktohet kampioni te hendbollistet

Ndeshja e tretë e finales së plejofit do të përcaktoj kampionin e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave. Finalja e tretë luhet të shtunën (nesër) nga ora 19:15 në palestrën e qytetit në Istog. Do të përballen Istogu e Vushtrria, ndërsa ndeshja transmetohet direkt në RTV 21 Plus.
Istogaset e kanë fituar ndeshjen e parë që e luajtën në palestrën e tyre, me rezultatin 32:26. Ndërkohë në ndeshjen e dytë të luajtur në Vushtrri, ishte skuadra vushtrriase që fitoi me rezultatin 24:23. Kështu rezultati në serinë finale është barazuar në 1:1.
Sidomos ndeshja e dytë finale ishte e fortë dhe dramatike deri në fund. Për Istogun ishte humbja e parë këtë edicion. Skuadra e Istogut synon fitore si vendase dhe ta fitoj titullin e kampionit. Ndërkohë vushtrriaset kanë marrë zemër nga fitorja në ndeshjen e dytë dhe për në Istog udhëtojnë për fitore.
Istogu kampionatin e rregullt e ka përfunduar në pozitën e parë e Vushtrria në të dytën. Njëra prej këtyre dy skuadrave nesër do të festojë titullin e kampionit.

Lajme tjera