Pas garës së zhvilluar nëpër grupe për javë të tëra, ka ardhur koha për fazën përfundimtare të kampionatit në Ligën e pioniereve në hendboll. Faza përfundimtare e kampionatit të Kosovës, përkatësisht ndeshjet çerekfinale, gjysmëfinale dhe finalja do të zhvillohen të shtunën e të dielen në Vushtrri.
Organizator i ndeshjeve përfundimtare është KHF Samadrexha. Ndeshjet çerekfinale luhen të shtunën (nesër). Nga ora 11:00 në Vushtrri takohen Prishtina me Dukagjinin, ndërsa në ora 12:00 fillon ndeshja Samadrexha – Istogu.
Çerekfinalja e tretë në mes të Shqiponjës e Vjosës fillon në ora 13:00, kurse çerekfinalja e fundit mes Vushtrrisë dhe skuadrës Jusuf Gërvalla luhet të shtunën nga ora 14:00.
Të dielen fillimisht luhen dy gjysmëfinalet, prej orës 11:00 e 12:00, ndërsa ndeshja për vend të tretë luhet nga ora 13:00.
Finalja është të dielen nga ora 14:00. Priten ndeshje cilësore e të bukura nga hendbollistet e reja, që janë e ardhmja e sportit kosovar. KHF Samadrexha ka fituar titullin edicionin e kaluar.