Një përzgjedhje e lojtarëve të rinj të Kosovës është mbledhur në Prishtinë në prag të pjesëmarrjes në një turne ndërkombëtar në Slloveni. Janë grumbulluar lojtarë të moshës prej 18 deri në 22 vjet, që vlerësohen me potencial për Kombëtaren e Kosovës në hendboll.
Në Rogashka Slatina të Sllovenisë kjo përzgjedhje luan ndeshje kontrolluese me Kuvajtin dhe Libinë. Ndeshja me Kuvajtin është më 15 qershor, ndërsa me Libinë më 16 qershor.
Përzgjedhja do të zhvillojë disa stërvitje në Prishtinë, ndërsa udhëtimi për në Slloveni është të mërkurën.
Në vendin e njëjtë për fundin e korrikut janë aranzhuar ndeshje me Arabinë Saudite, SHBA-në, Kilin dhe Slloveninë.
Dy ndeshjet e kësaj jave do të shërbejnë për të provuar disa lojtarë që shfaqën formë të mirë së fundi. Enis Kuleta, Ardit Tafilaj, Enes Idrizi e Meti Durmishi do të testohen nga selektori i Kosovës, Bujar Qerimi.
Ndërkohë me ekipin po punojnë pos trajnerit Fatmir Muhaxheri edhe Egzon Gjuka e Vlerson Zherka, që janë duke u përgatitur për trajnerë.
Ky grumbullim pritet t’u shërbejë lojtarëve të rinj për të fituar përvojë shumë të nevojshme në ndeshjet ndërkombëtare.