Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Pa ndeshje evropiane në prill e në maj

Në foto shihen hendbollistet e Kombëtares sonë duke e dëgjuar himnin e Kosovës para fillimit të ndeshjes.

Federata Evropiane e Hendbollit ka përgatitur një plan për vazhdimin e garave evropiane që kanë mbetur në gjysmë për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Përmes një komunikate, EHF-ja ka njoftuar se nuk ka një datë të saktë se kur do të vazdojnë garat. Por plani parasheh vazhdim të mundshëm të garave në fillim të qershorit.

Kjo nënkupton që ndeshjet e Kombëtares së Kosovës në hendboll (femrat) me Slloveninë dhe Gjermaninë nuk do të luhen sipas planit. Ndeshja Kosovë – Slloveni është dashur të luhet më 27 maj në Prishtinë, ndërsa ajo Gjermani – Kosovë më 31 maj në Gjermani.

Më herët është marrë vendimi që të shtynen dy ndeshjet me Bjellorusinë që është dashur të luhen këtë muaj. Plani është që të gjitha këto katër ndeshje të luhen në formë turneu, në javën e parë të qershorit, prej të mërkurës deri të dielen.

“Raundet prej 3 deri në 6 të kualifikimeve për Euro 2020 në konkurrencë të femrave do të luhen në formë turneu me të gjitha ndeshjet në një vend (prej të mërkurës deri të dielen, në javën e parë të qershorit)”, shkruan në vendim.

EHF-ja ka lënë të hapur mundësinë që në rast të pezullimit të ndeshjeve, rezultati i raundeve të deritashme të vlejë si përfundimtar. Vendimi eventual për të anuluar ndeshjet e javës së parë të qershorit duhet të merret më së largu më 15 maj.

“Nëse raundet nuk mund të luhen dhe ndeshjet anulohen, rezultatet nga raundet e kompletuara tashmë, do të llogariten për kualifikim të mëtutjeshëm, pas konfirmimit nga EHF”, thuhet në vendimin e Komitetit Ekzekutiv të EHF-së.

Kampionati Evropian U20 (meshkujt), Divizioni B, ku do të marr pjesë edhe Kosova, është shtyrë nga fillimi i korrikut për gusht (13 – 23 gusht). Kosova U20 do të marr pjesë në Evropianin në Letoni.

“Situata aktuale e bënë të pamundur që të zhvillohen gara të hendbollit në javët e ardhshme”, ka thënë presidenti I EHF-së, Michael Wiederer. “Jemi të vetëdijshëm se skenari për të vazhduar me gara në qershor varet nga zhvillimi i situatës me koronavirus”, ka shtuar ai.