Prishtina i bashkohet Besës në finale

Prishtina ka kaluar në finale të plejofit të kampionatit të Kosovës në hendboll. Prishtina të enjten mbrëma fitoi ndaj Kastriotit në Ferizaj me rezultat 35:31 për të siguruar finalen, ku do të përballet me Besa FamGas.

Ishte kjo fitorja e dytë rresht e Prishtinës në gjysmëfinalen e plejofit ndaj Kastriotit. Të shtunën e kaluar në kryeqytet, prishtinasit fituan me rezultat 31:24. Fitorja e së enjtes ishte pak më e ngushtë, por e mjaftueshme për kalim në finale. Pas pjesës së parë rezultati ishte 18:14 në të mirë të Prishtinës.

K. Syla me 10 gola ishte më efikasi te Kastrioti. H. Salihu shënoi shtatë herë. D. Terziqi shënoi 10 gola për Prishtinën kurse shtatë i pati P. Prekazi.

Besa FamGas poashtu pas dy ndeshjeve, në gjysmëfinale eliminoi Dritën. Finalja nis pas një jave, të mërkurën apo të enjten e ardhshme. Ndeshja e parë luhet në Pejë.

Kastrioti – Prishtina 31:35 (14:18)

Kastrioti: Mehmeti, Dugolli Rudari, Haxhimusa 3, Syla 10, Dugolli 1, Salihu 7, Shabani 4, Hoxha 3, Mustafa 3, Rexhepi, Selmani, Bytyqi, Hajdini, Ramadani.

Prishtina: Gjuka 4, Visoka, Stoilov 1, Ademi 1, Shahini 2, Terziqi 10, Syla 3, Prekazi 7, Kastrati 2, Kosteski, Bajqinovci 4, Fetahu 1, Murtezi, Gashi, Krasniqi.

Lajme tjera