Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Qerimi, Shabani e Shala përfundojnë shkollimin për nivelin Master

Selektorët e Kosovës në hendboll, Bujar Qerimi e Agron Shabani si dhe kryetari i Shoqatës së Trajnerëve të Hendbollit Kosovar, Faruk Shala, e kanë përfunduar me sukses shkollimin për nivelin Master.

Qerimi, Shabani e Shala kanë fituar gradën “Master Coach” pas shkollimit të ndjekur në Kroaci. Shkollimi për nivelin Master e organizon EHF-ja, ndërsa për kurset në Kroaci e kishte partnere Federatën e Hendbollit të Kroacisë.

Shkollimi i nivelit Master është mbajtur në tri module, ndërsa kanë ligjëruar ekspertët më të mëdhenj kroatë.

Në fund gjithë kandidatët, ku kishte emra të mëdhenj të hendbollit kroat dhe nga vendet tjera të regjionit, kanë prezantuar punimet e tyre për tema të caktuara, kryesisht të bazuara në punën personale.

Avancimi i Bujar Qerimit, Agron Shabanit e Faruk Shalës është në vazhdën e angazhimit të FHK-së për shkollim gjithnjë e më të madh të kuadrit të saj.