Me ndeshjen Vushtrria – Rahoveci fillon xhiroja e dytë e Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën nga ora 20:00 në palestrën “Jeton Tërstena – Tota” në Vushtrri.
Kampioni Rahoveci vlerësohet favorit i madh.
Të hënën Rahoveci fitoi derbin ndaj Besa Famgasit dhe tani e kërkon fitoren e dytë. Fitore në xhiron e parë shënoi edhe Vushtrria, ndaj Trepçës në Mitrovicë.
Të dielën prej orës 17:00 është ndeshja Trepça – Vjosa. Skuadra nga Shtimja zhvillon ndeshjen e parë pas kthimit në elitë dhe synon dy pikë në Mitrovicë.
Të hënën është ndeshja mes Prishtinës dhe Besa Famgasit. Fillon në ora 19:00.
Prishtina, pas fitores ndaj Llapit, synon ta befasojë Besën. Por skuadra pejane udhëton drejt kryeqendrës për të fituar dy pikët e para. Shpresohet në ndeshje interesante.
Ndeshja mes Kastriotit dhe Llapit është shtyrë për shkak të ndeshjes evropiane të skuadrës ferizajase.