Rahoveci ka shkruar histori të mërkurën mbrëma. Për herë të parë skuadra rahovecase e ka fituar titullin e kampionit të Kosovës në hendboll.
Në finale të plejofit, Rahoveci e mposhti skuadrën Besa Famgas. Ndeshja e dytë e serisë finale u zhvillua në palestrën “Karagaçi” në Pejë në një ambient të bukur sportiv dhe para një numri të konsiderueshëm shikuesish.
Rahovecasit e bënë shkëputjen e madhe që në pjesën e parë të cilën e fituan 21:11. Në pjesën e dytë vetëm kontrolluan lojën për festë të madhe në fund të saj. Ndeshja përfundoi 29:24 në të mirë të Rahovecit.
Rahoveci e kishte fituar finalen e parë me rezultat 34:30. Gjatë gjithë edicionit në kampionat e kishte vetëm një disfatë dhe të mërkurën kurorëzoi këtë dominim me titull historik të kampionit.
Besa Famgas i kishte dhjetë tituj rresht dhe i ka 19 gjithsej.
Medaljet e argjendta për lojtarët e Besës i ndanë presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini dhe kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Ndërsa medaljet e arta për lojtarët e Rahovecit dhe kupën e kampionit për kapitenin Ardian Osa, i ndanë presidenti Saraçini dhe kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.