Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Ramosaj, shtylla kryesore e mbrojtjes së Kosovës

Bujar Ramaosaj gjate nje loje hendbolli

Fjalëpak e shumë punëtor. Modest e i palodhshëm. Kombëtarja e Kosovës e ka në radhët e saj një hendbollist që mund të llogaritet shtyllë e mbrojtjes. E ka Bujar Ramosajn, shtatlartin e Besa Famgasit, të cilin shtabi teknik e vlerëson “zemër të mbrojtjes”.

Ramosaj është hendbollist shumë luftarak dhe pritet të jetë i rëndësishëm edhe në ndeshjet ndaj Malit të Zi e Suedisë, që janë të parat e eliminatoreve për “Euro 2022”.

Kombëtarja jonë të enjten grumbullohet për ndeshjet që luhen me Malin e Zi më 4 nëntor në Podgoricë dhe me Suedinë në Prishtinë më 8 nëntor.

“Jemi të kënaqur me punën që kemi bërë te Besa Famgas. Punët kanë shkuar shumë mirë, jemi përgatitur shumë mirë për edicionin e ri”, thotë Ramosaj.

Ai beson se do të jetë në gjendje të jap kontributin që pritet prej tij në ndeshjet me Malin e Zi dhe Suedinë.

“E ndiej veten që jam në formë të mirë dhe do të jap maksimumin për Kosovën. E dimë që kundërshtarët janë të kualitetit të lartë botëror mirëpo ne do të japim maksimumin për rezultate pozitive. Synim do të jetë paraqitja sa më e mirë dhe të rrisim tutje nivelin tonë. Ne kemi paraqitje të mira dhe të forta në mbrojtje. Natyrisht se do të vazhdojmë me mbrojtje të fortë dhe të komponuar e po ashtu me sulm kualitativ”, ka shtuar Ramosaj.

Me lojtarët tjerë që lënë zemrën gjatë ndeshjeve, Ramosaj do të vazhdojë të formojë mbrojtje të qëndrueshme. Natyrisht ndalja e sulmeve të Malit të Zi dhe Suedisë do të jetë sfidë, por angazhimi nuk do të mungoj për asnjë moment.