Selektori Qerimi: Grupi është i vështirë, por synim mbetet kualifikimi

Përzgjedhësi i Kosovës në hendboll, Bujar Qerimi, ka pranuar se Kombëtarja jonë është në grup të vështirë në kualifikimet për “Euro 2024”. Shorti i tërhequr të enjten ka përcaktuar që Kosova të jetë në grup me Slloveninë, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën. Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina janë kombëtare të njohura për Kosovën. Jemi përballur edhe më herët më to.
Ndonëse grupi është i vështirë, përzgjedhësi Qerimi ka thënë se synim mbetet kualifikimi në Evropianin e ardhshëm. Në tetor të këtij viti do të luhen ndeshjet e para të këtij cikli kualifikues.
“Grupi është i fortë, kundërshtarët janë me nivel, por ne duhet të mobilizohemi dhe të tregojmë vlerat që i kemi. Bosnjë-Hercegovina është kundërshtar më i pranueshëm, ndërsa Sllovenia e Mali i Zi janë kombëtare cilësore”, ka thënë Qerimi për faqen zyrtare të FHK-së.
Dy të parët e grupit avancojnë në Evropian, ndërsa gjasa ka edhe prej pozitës së tretë.
“Duhet ta synojmë vendin e dytë dhe eventualisht që të jemi njëra prej katër kombëtareve të vendit të tretë që shkojnë në Evropian. Gjenerata e lojtarëve që kemi është tashmë me përvojë dhe në kulm të karrierës. Ndeshjet që i kishim në kualifikimet për Botëror na japin një pasqyrë të mirë para këtij cikli kualifikues për Evropian. Ndaj Malit të Zi në ndeshjet e kaluara nuk ishim larg. Ndërkohë Bosnja ka përtërirë ekipin, kështu që ne i kemi shanset tona. Por shanset nuk na i jep askush. Duhet që ne t’i marrim”, ka theksuar përzgjedhësi Qerimi.

Lajme tjera