Kampioni në fuqi, Istogu, përballet me Shqiponjën e Gjakovës në kuadër të xhiros së 14-të të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.
Kjo ndeshje zhvillohet të enjten nga ora 20:00 në palestrën në Banjë.
Istogu ka kaluar formë të lartë në stinorin pranveror dhe udhëheq në tabelë me 22 pikë, dy më shumë se Ferizaj. Shqiponja është e katërta me 14 pikë. Skuadra gjakovare në fundjavë luajti ndeshje të fortë me Vushtrrinë dhe udhëton për befasi ndaj liderit.
Të enjten prej orës 20:00 është ndeshja Vushtrria – Besa. Pas fitores në Gjakovë, Vushtrria synon dy pikë të reja për të bërë tjetër hap drejt pozitave të kreut.
Vushtrria është e gjashta me 10 pikë, ndërsa Besa e Pejës e shtata me tetë pikë.
Të mërkurën prej orës 20:00 janë dy ndeshjet e para.
Terezën e pret punë shumë e vështirë me Samadrexhën, ndërsa Prishtina po ashtu ka ndeshje sfiduese me Kastriotin. Ndeshja Prishtina – Kastrioti zhvillohet në Lipjan.