Shtete të shumta mbesin prapa Kosovës në ranglistën e EHF-së

Federata Evropian e Hendbollit ka ndryshuar sistemin e garave evropiane për klube, ndërsa ndryshimet hyjnë në fuqi pas një viti, prej edicionit 2020\2021. Në kuadër të këtyre ndryshimeve, EHF-ja të premten publikoi rangimin e vendeve që është i vlefshëm për edicionin e ardhshëm, pra edicionin 2020\21.

Rangimi është i bazuar në sukseset e klubeve në tri edicionet e kaluara të kupave evropiane (2016\17, 2017\18 dhe 2018\19).

Te meshkujt, Kosova renditet në vendin e 29-të dhe lë prapa vende të shumta evropiane, duke përfshirë Serbinë, Bosnjën, Bullgarinë, Lituaninë, Malin e Zi, Qipron, Britaninë e Madhe, Moldavinë, Gjeorgjinë, Italinë dhe plot 11 shtete tjera.

Rangimi edhe një herë dëshmon për avancimin e hendbollit kosovar, duke përfshirë edhe ngritjen graduale të klubeve. Në bazë të rangimit, Kosova në edicionin 2020\21 do të ketë të drejtën e prezentimit me katër skuadra të meshkujve në Kupa Evropiane. Kampioni do të garojë në garën e re, të quajtur “European Handball League”, që e zëvendëson Kupën aktuale të EHF-së. Kurse tri skuadra tjera do të kenë të drejtën e pjesëmarrjes në Kupën e EHF-së, që tani njihet si Kupa Sfiduese (Challenge Cup).

Te femrat, Kosova e ndanë vendin e 26-të me Qipron e Izraelin dhe lë mbrapa vende si Greqia, Luksemburgu, Portugalia, Belgjika, Islanda dhe plot 16 shtete tjera. Edhe te femrat Kosova prej edicionit 2020\21 do të prezentohet me kampionin në European Handball League dhe me tri ekipe tjera në Kupën e EHF-së.

European Handball League do të luhet në grupe dhe kështu kampionët kosovarë pritet të kenë të garantuara më shumë se nga dy ndeshje evropiane.

Lajme tjera