Spanja e Suedia kalojnë në finale

Spanja e Suedia do të takohen në finale të kampionatit evropian të hendbollit që po mbahet në Kroaci. Në ndeshjet gjysmëfinale të zhvilluara të premten, Spanja fitoi ndaj Francës me rezultat 27:23 kurse Suedia në ndeshjen dramatike e mposhti favoriten Danimarkën me rezultat 35:34.

Ndeshja mes Suedisë e Danimarkës ëshë vendosur vetëm pas vazhdimeve nga pesë minuta.

Suedezët kanë udhëhequr gjatë tërë ndeshjes, madje edhe me shumë gola dallim, por danezët janë kthyer në lojë dhe me gol në sekondën e fundit kanë dërguar takimin në shtesa (28:28). Por edhe në vazhdime suedezët janë treguar më të mirë dhe kanë fituar me një gol dallim, 35:34. Mattias Zachrisson me tetë gola ishte më efikasi te Suedia, por u dallua sidomos portieri Andreas Palicka që bëri plot 20 pritje. Te Danimarka më efikasi ishte legjenda Mikkel Hansen me 12 gola.

Ndërkohë Spanjën në fitoren 27:23 ndaj Francës e udhëhoqi Ferran Sole me gjashtë gola. Numër të njëjtë golash për Francën shënoi Cedric Sorhaindo.
Ndeshjet e fundit të “Euro 2018” janë të dielen. Në Zagreb, nga ora 18:00 përballen Franca e Danimarka për vendin e tretë, kurse finalja e madhe mes Spanjës e Suedisë nis në ora 20:30.

Lajme tjera