Sukses historik i Kombëtares së Kosovës

Hendbollistet e Kombëtares së Kosovës kanë arritur sukses historik. Ato për herë të parë janë kualifikuar në fazën e dytë të eliminatoreve për Kampionat Botëror. Në fazën e parë kualifikuese për Botërorin 2023, Kosova e kaloi Kombëtaren e Ishujve Faroe. Vendimtare ishte fitorja 27:24, të enjten në Istog.
Të shtunën në ndeshjen e dytë, fitore shënoi Kombëtarja e Ishujve Faroe me rezultat 29:28. Por me rezultatin e përgjithshëm 55:53 pas dy ndeshjeve, në raundin e dytë avancon Kombëtarja jonë. Ndeshjet e raundit të dytë luhen në prill të vitit të ardhshëm.
Ndeshja e së shtunës në Istog ishte shumë interesante dhe shumë e luftuar. Palestra në Istog ishte e stërmbushur me shikues, ndërsa përkrahja për vajzat tona ishte e madhe.
Pjesa e parë ishte plotësisht e barabartë. Kombëtarja jonë u shkëput deri në dy gola, ndërsa ajo mysafire deri në tri gola. Pas 30 minutave lojë rezultati ishte 16:16. Lojë interesante u luajt edhe në pjesën e dytë. Te rezultati 29:27 për Ishujt Faroe, kjo kombëtare kishte sulm vendimtar. Por mbrotja e Kombëtares sonë ishte e mirë dhe në anën tjetër shënuam gol për rezultatin përfundimtar, 29:28 për Ishujt Faroe. Ky rezultat mjaftoi për të avancuar në raundin e dytë.
Kapitenja Leonora Demaj sërish shfaqi ndeshje të madhe duke realizuar 11 gola nga 15 tentime. Zv.kapitenja, Njomza Kelmendi i kishte plot dhjetë pritje dhe ishte vendimtare.
Pashke Marku realizoi katër gola nga pesë tentime. Shënoi edhe golin vendimtar, pasi rrëmbeu topin. Mirela Gjikokaj i kishte 3 gola nga 6 tentime, kurse Fitore Aliu i kishte 3 gola nga 7 tentime. Marigona Hajdari pos që u shqua me organizim të lojës, i shënoi edhe 3 gola nga 5 tentime. Nga 2 gola i shënuan Arlinda Hajdari e Suzana Ujkiq, por kontribut dhanë të gjitha lojtaret.
Në fazën e dytë kualifikuese, Kombëtarja jonë do të luaj me një Kombëtare që aktualisht po paraqitet në Euro 2022.

Lajme tjera