Po vazhdon shkollimi dhe ngritja profesionale e kuadrit të hendbollit në vend. Kështu Emir Tara është bërë skauti (scout) i parë i hendbollit nga Kosova. Skauti në hendboll është përgjegjës për të mbajtur statistikat dhe të dhënat nga ndeshjet zyrtare ndërkombëtare, ku përfshihen ndeshjet e ekipeve kombëtare dhe ato të klubeve në kuadër të kupave evropiane.
Emir Tara është ish-hendbollist i Prishtinës dhe aktualisht sekretar në klubin e hendbollit Prishtina (meshkujt).
Federata Evropiane e Hendbollit e ka obligative mbajtjen e statistikave nga ndeshjet ndërkombëtare. Kjo bëhet përmes “Sportradar”, por secili klub që merr pjesë në gara evropiane duhet të ketë skautin e vet. Tara është skauti i parë nga Kosova dhe momentalisht i vetmi. Ai do të mbulojë ndeshjet e ekipeve kombëtare e poashtu ndeshjet e klubeve. Për t’u zyrtarizuar si skauti i parë nga Kosova, Tara është dashur t’i nënshtrohet testimeve të ndryshme që i ka kaluar me plot sukses.
Muaji tetor do të jetë shumë i ngarkuar me aktivitete ndërkombëtare për hendbollin kosovar. Do të ketë ndeshje të shumta të klubeve në Kupa Evropiane e poashtu aktivitete të shumta të ekipeve kombëtare. Në Kosovë do të mbahen edhe ngjarje evropiane si konfirmim që FHK-ja tashmë ka fituar besimin e plotë të EHF-së dhe IHF-së.