Të premten grumbullohet Kombëtarja e Kosovës

Të premten (nesër) grumbullohet Kombëtarja e Kosovës në hendboll për t’u përgatitur për paraqitje në fazën e parë kualifikuese për Kampionatin Botëror të vitit 2021.

Tubimi bëhet në hotelin Venus në Prishtinë paraditën e së premtes, ndërsa stërvitja e parë zhvillohet në mbrëmje. Kombëtarja do t’i zhvillojë nga dy stërvitje në ditë (10:00 – 11:30, 17:30 – 19:30) në Prishtinë.

Selektori Taip Ramadani ka shpallur më herët listën e lojtarëve në të cilët llogarit për ndeshjet në Itali. Ai ka thënë se synimi është të fitohet grupi dhe kështu të kalohet tutje në kualifikime.

Kosova është në Grupin 3 të fazës së parë kualifikuese. Ndeshjet i luan në Benevento të Italisë prej 10 deri më 12 janar. Ndeshjen e parë Kombëtarja jonë e ka ndaj Italisë. Më pas luan me Rumaninë dhe në fund me Gjeorgjinë. Në kuadër të përgatitjeve, Kosova i luan dy miqësore në Prishtinë me Kuvajtin.

Lajme tjera